Prishtina eliminohet nga Liga Ballkanike

Sigal Prishtina i ka dhënë fund pjesëmarrjes në Ligën Ballkanike për këtë sezon. Prishtina nuk ka arritur ta mbrojë fitoren prej dy pikëve – 85:83 – që e arriti javën e shkuar ndaj Ballkanit të Bullgarisë, pasi pësoi humbje më të thellë në ndeshjen e dytë çerekfinale.

Në duelin e luajtur të mërkurën në Botevgrad, Prishtina është mposhtur me rezultatin 82:63. Me këtë fitore, Ballkani është kualifikuar në “Final Four” të Ligës Ballkanike që do të mbahet në Izrael. Pas eliminimit në BIBL, fokusi i Prishtinës do të jetë në plejofin e Superligës së Kosovës që nis javën e ardhshme.

Në duelin e dytë ndaj Ballkanit, te Prishtina më i dalluari ishte Meriton Ismaili me 16 pikë, i përcjellë nga Dachon Burke (10).

Te Ballkani, u veçuan Christian Jones (27), Derrick Marks (14) dhe Ahmaad Rorie (12).