Prishtina e mund Llapin dhe e merr kreun e Superligës, pas disfatës së Ballkanit në Drenicë

Prishtina është lidere e re e Superligës, pas fitores 3:1 kundër Llapit në udhëtim dhe falë humbjes tronditëse të Ballkanit 2:1 kundër Drenicës në Skenderaj.

Prishtina e ka në dorë fatin e vet në garë për titull në Superligë në katër ndeshjet e fundit.

Bardhekaltrit tani janë liderë të rinj të Superligës me 69 pikë, një më shumë se Drita dhe dy më shumë se Ballkani.

Sabien Lilaj e kishte kaluar Prishtinën në epërsi në minutën e 15-të, para se Adonis Aliu ta barazonte rezultatin për Llapin vetëm katër minuta më vonë.

Leotrim Bekteshi e ktheu epërsinë e bardhekaltërve në minutën e 40-të, duke ia siguruar një pushim të qetë mes pjesëve skuadrës së Zekirija Ramadanit.

Otto John e fundosi Llapin dhe ia siguroi pikët Prishtinës në minutën e 64-të, i sapo ardhur nga stoli.

Kjo fitore e afron Prishtinën një hap më afër titullit të parë që prej sezonit 2012/13.

Ndërkohë, Drenica ishte ajo që ia hapi rrugën Prishtinës ta marrë kreun, duke e mundur liderin e deritanishëm, Ballkanin në Skenderaj.

Kreshnik Uka dhe Dennison i shënuan golat e triumfit tronditës për Drenicën, ndërkohë goli i Mevlan Zekës i shërbeu vetëm për ngushëllim klubit suharekas.

Për Drenicën ishte një fitore e madhe në luftën e saj për mbijetesë në Superligë.

Sepse kuqezinjtë mbledhin 38 pikë tani në vendin e gjashtë, tri pikë më shumë se Feronikeli në vendin e tetë dhe pesë më shumë se Arbëria në zonën e rënies nga liga.