Prishtina sot me fillim nga ora 19:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë është nikoqire e ekipit turk Pinar Karsiyaka në kuadër të xhiros së fundit të Grupit I në FIBA Europe Cup.

Prishtina zë vendin e katërt në renditjen tabelare të Grupit I me me 6 pikë, aq sa ka edhe Szolnoki Olaj që është në vendin e tretë.

Në pozitën e parë është s. Oliver Wurzburg me 10 pikë (bilanc maksimal) dhe në të dytën është Pinar Karsiyaka me 8, skuadra këto që tashmë e kanë siguruar kualifikimin për në TOP 16 të FIBA Europe Cup.

Së fundi një njoftim i arritur nga FIBA në adresë të Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe Prishtinës thuhet se tri ekipet e eliminuara nga Basketball Champions League nuk janë të interesuara të vazhdojnë garimin në FIBA Europe Cup, dhe kështu është krijuar mundësia që skuadra të treta nga grupet e FIBA Europe Cup të shkojnë tutje.

Në këtë mënyrë Prishtina, prej skuadrës që i kishte humbur të gjitha shpresat për kualifikim tutje, pasi që me rregullat e deritashme të FIBA-s vetëm dy ekipe e sigurojnë vendin në TOP 16, është bërë skuadër që i janë ngjallur shpresat për të siguruar një vend në fazën e ardhshme të FIBA Europe Cup.

Dhe për të arritur këtë Prishtina duhet ta mposht sonte ekipin turk Pinar Karsiyaka dhe po ashtu Szolnoki Olaj duhet të humbas në shtëpi në Hungari nga skuadra gjermane s. Oliver Wurzburg.

Në ballafaqimin e parë të luajtur në Turqi në mes Pinar Karsiyakas dhe Prishtinës fitore patën shënuar nikoqirët me 22 pikë epërsi (107:85).