Stadiumi “Fadil Vokrri” në kryeqytet ishte arena ku Prishtina e Gjilani sfiduan njëra-tjetrën.
Një ndeshje me ritëm të lartë, e mbushur me plotë raste, me dy portierët si Haxhihamza (Gjilani) dhe Nika (Prishtina) që ishin në krye të detyrës.
Ndeshja nisi më mirë për Gjilanin, i cili gjeti golin e parë të ndeshjes përmes Senad Jarovic në minutën e 28-të të takimit.
Barazimin për 1:1 e gjeti Leotrim Kryeziu, që u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 36-të.
E, pjesa e dytë nisi më mirë për vendasit, me përplot raste, derisa iu anulua edhe një gol (faull).
Megjithatë, Prishtina e gjeti golin e epërsisë në minutën e 81-të, gol të cilin e shënoi Leonat Vitija.
Por, në frymën e fundit doli në skenë Kushtrim Shabani, goditja e të cilit në minutën e 94-të kaloi pas shpinës së Ardit Nikës.
Me këtë barazim, Prishtina mbetet 11 pikë larg kreut të tabelës, duke zënë vendin e katërt me 26 pikë.
Gjilani në anën tjetër e sheh veten në pozitën e gjashtë me 18 pikë.







