Një prind është ndjerë i lënduar dhe i zhgënjyer pasi British School of Kosova, refuzoi të regjistrojë vajzën e tij, Nisen, siç thotë ai vetëm se ajo ka Sindromën Down.

Në një reagim emocional, Burim Sopa shprehu dhimbjen dhe shqetësimin që, edhe në vitin 2025, fëmijët me aftësi të kufizuara përjashtohen nga e drejta për arsim dhe përfshirje të barabartë.

”Sot ndjeva një dhembje që si prind nuk do të doja ta përjetoja kurrë.

Institucioni British School of Kosova refuzoi regjistrimin e vajzës sime, Nises, vetëm sepse ajo ka Sindromën Down.

Është zhgënjyese që në vitin 2025, në një shoqëri që pretendon për përfshirje dhe barazi, ende ekzistojnë institucione arsimore që nuk i hapin dyert për të gjithë fëmijët — pavarësisht potencialit, dëshirës për të mësuar, apo të drejtës që u takon.

Kjo nuk është thjesht çështje personale. Është një thirrje e hapur për reflektim — për të kuptuar se përjashtimi nuk ndikon vetëm një fëmijë apo një familje, por dëmton gjithë shoqërinë tonë.

Fëmijët si Nisa nuk kanë nevojë për mëshirë — ata kanë nevojë për mundësi, për hapësirë, për edukim dhe për trajtim të barabartë.

Uroj që kjo përvojë të shërbejë si vetëdijesim për institucionet që ende nuk e kanë kuptuar çka do të thotë vërtet përfshirje”.