Prigozhinin mund ta eliminojnë në Bjellorusi, Putini nuk i fal tradhtarët

Pas një dite shumë të gjatë për Rusinë, duke parë rebelimin 24-orësh të forcave mercenare Wagner dhe gjithë përshkallëzimin deri në çastin e një marrëveshjeje, pyetja e radhës është e qartë: Çfarë do të ndodhë me Prigozhin

Ajo çfarë është e sigurt deri tani, është se jo të gjithë mercenarët mbetën të kënaqur nga ujdia e arritur mes shefit të tyre dhe presidentit rus, Alexander Lukashenko, për ta ndalur kryengritjen e armatosur.

Wagner fundja ndodhej vetëm 200 kilometra larg Moskës dhe mercenarët (shumica e tyre të paktën), kanë treguar në kohë se janë besnikë ndaj Prigozhin dhe jo ndaj Rusisë.

Këtë gjë, Putin mund të mos e tolerojë, duke e etiketuar sërish si tradhtar Prigozhinin, edhe pse teknikisht e dërgoi atë në Bjellorusi, duke i garantuar jetën.

Megjithatë, për eksperten e çështjeve të Rusisë dhe ish-shefen e byrosë mediatike të CNN në Moskë, Jill Dougherty, gjërat mund të shkojnë edhe më keq.

“Putini nuk i toleron tradhtarët”, thotë ajo, “edhe nëse i thotë Prigozhinit shko në Bjellorusi, për të sërish ai do të mbetet një tradhtar dhe nuk do ta falë”.

Madje, ajo shkon deri aty sa të formulojë se shefi i Wagner mundet edhe të “likuidohet” (të vritet) në Bjellorusi për gjithë çfarë bëri.

Kjo do të mbetet gjithnjë një dilemë për Kremlinin sipas saj, pasi është e qartë se Prigozhin ka mbështetje dhe kësisoj, ai është kërcënim, pavarësisht se në çfarë vendi ndodhet, qoftë brenda apo jashtë Rusisë, shkruan AP.

Rreth mercenarëve Wagner, ka po ashtu dilema se çdo të bëhet me ta.

Sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, atyre do t’u jepet mundësia të firmosin kontrata të reja me Ushtrinë ruse. Por, shumë prej tyre mund të mos e duan diçka të tillë dhe të vendosin të dalin më vete, ndoshta jo më si Wagner.

Një ujdi është arritur për shpërbërjen e forcave, por sërish ka dilema mbi këtë, duke qenë se ka fakte se Wagner ende po kontrollon disa zona në Rostov, qytetin e madh jugor rus, të cilin e pushtuan pa rezistencë më 24 qershor dhe u larguan po atë natë.

Situata mbetet e paqartë.