“Presidentja po mbjell frikë duke propozuar traktatin me Shqipërinë, e befasoi edhe Bajram Begajn”

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se politika e jashtme e Kosovës po lëkundet nga sllogani në sllogan, duke përmendur se një të tillë nga Qeveria u dëgjua në muajin “janar të 2022, për një marrëveshje ku Kosova dhe Serbia zotoheshin të mos e sulmojnë njëra-tjetrën”.

“Një sllogan të ri e dëgjuam dje nga Presidentja e Kosovës për një traktat të mbrojtjes së ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Konceptualisht, marrëveshja për mossulm dhe e traktatit të mbrojtjes reciproke, i takojnë kohës në mes të dy luftrave botërore. Në një kohë të sotme kur edhe Suedia dhe Finlanda po anëtarësohen në NATO, duke kërkuar mbrojtje kolektive nga ajo”, ka shkruar ai.

Hoxhaj thotë se për këtë dekret presidenti shqiptar, Bajram Begaj, u zu në befasi, derisa presidenten Osmani e akuzon se po mbjell frikë.

“Ideja e traktatit të mbrojtjes është serioze vetëm nëse do të ishte diskutuar dhe koordinuar paraprakisht me Shqipërinë! Të mos shpallet vetëm si sllogan, duke pasur në krah, pa paralajmërim, Presidentin e Shqipërisë, që u zu në befasi dhe nuk tha asgjë në konferencë për media”, ka shkruar ai.

Nënkryetari i PDK-së akuzoi qeveritarët se po e shpërqendrojnë opinionin publik nga temat e brendshme.

“Kur kryeministri javën e kaluar foli për luftën dhe presidentja këtë javë për traktatin e mbrojtjes, qëllimisht po mbjellin një atmosferë frike, duke zëvendësuar temat e brendshme të krizës ekonomike dhe me sllogane të politikës së jashtme”.

Hoxhaj thotë se agresioni rus duhet të përdoret për të rritur kapacitetin tonë ushtarak, për ta izoluar Serbinë në rajon dhe anëtarësuar Kosovën në NATO.

“Kosova, për shumë vite ka qenë e sigurt nga pikëpamja psikologjike, kurse në javët e fundit po udhëhiqet nga frika! Kjo nuk po bëhet për ta mbrojtur shtetin dhe sovranitetin, por për ta përmbushur egoizmin personal dhe populizmin partiak! Kjo është kohë që kërkon vendosmëri, maturi dhe qëndrueshmëri. Nuk është kohë e parullave si frymëzime të çastit drejt moçalit politik, nga ku s’mund të dalim assesi! Tani, takimin e 18 gushtit, a do ta filloni nga mos sulmi, apo nga mbrojtja?”.

Hoxhaj gjithashtu ka thënë se Kosova ka një Partneritet Strategjik me Shqipërinë nga janari i 2014, i dalë nga mbledhje të qeverisë të përbashkëta, marrëveshje të nënshkruara, me sekretariat që koordinon tema dhe ku prioritet i lartë është fusha e sigurisë.

“Sigurisht, që ky mekanizëm do merrej me temën dhe përmbajtjen e traktatit para se të miratohej në Kuvend! Duket se nuk e dinë këtë? Por, të paktën, besoj që e dinë që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe që një traktat i tillë nuk ndodh pa koordinim me të! Jam shumë për bashkëpunimit me Shqipërinë, si adresë kryesore e hartimit të Partneritetit Strategjik! Por, shqetësimi kryesor është paaftësia e tyre për të shfrytëzuar mundësitë pas rastit të Ukrainës, për t’u bërë të paktën pjesë e Partneritetit për Paqe të NATO-s”./Gazeta Express/