Presidentja e Republikës së Kosovës dje ka pritur në takime të ndara në Presidencë, me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier dhe shefin e EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark.
Lidhur me këto takime janë lëshuar njoftime në faqen zyrtare të Presidencës së Republikës së Kosovës.
Për takimin me ambasadorin amerikan Hovenier nga presidenca kanë thënë se ka qenë në kuadër të takimeve të rregullta, derisa presidentja Osmani gjatë bisedës ka ngritur edhe temën e dialogut strategjik në mes të Kosovës dhe SHBA-ve.
“Në takim është diskutuar për zhvillimet në vend dhe rajon në kuadër të koordinimit të vazhdueshëm në mes Kosovës dhe SHBA-ve. Me ambasadorin amerikan, Presidentja Osmani ka ngritur çështjen e dialogut strategjik në mes Kosovës dhe SHBA-ve”, thuhet në njoftimin e Presidencës.







