Presidentja në Gjykatën Kushtetuese? Avokati i PDK-së: Ka bërë shkelje serioze që e çon në shtëpi

Partitë opozitare mund të bëhen bashkë për ta çuar presidenten Vjosa Osmani në Gjykatën Kushtetuese. Ajo ka një vit që nuk po vepron për ta dekretuar ose jo Blerim Isufajn për Kryeprokuror. Tani që Kushtetuesja e rrëzoi ligjin për KPK-në, me të cilin synohej të ndryshohej përbërja e këtij institucioni, ka gjasa që kjo gjykatë të merret edhe me (mos)veprimin e shefes së shtetit. Avokati Faton Fetahu është shprehur i bindur se ajo ka bërë shkelje serioze të Kushtetutës që “e çon në shtëpi”.

Partitë opozitare mund ta çojnë presidenten Vjosa Osmani në Gjykatën Kushtetuese, për shkak të mosveprimit të saj në procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar javën e kaluar Ligjin për Këshillin Prokurorial. Avokati Faton Fetahu, i cili e përfaqësoi PDK-në në këtë rast e cilëson këtë vendim si “një nga gjykimet ikonike të Gjykatës Kushtetuese”.

PDK-ja dhe LDK-ja, që në korrik të vitit të kaluar e kishin çuar këtë ligj në Kushtetuese, e kanë konsideruar këtë vendim si triumf ndaj kapjes së drejtësisë, duke kërkuar shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Presidentja nuk ka folur. Tash e një vit në Presidencë qëndron propozimi i Këshillit Prokurorial, i cili e kishte përzgjedhur Blerim Isufajn për Kryeprokuror. Osmani s’ka marrë ende vendim për ta dekretuar ose jo Isufajn.

Ligji i miratuar në Kuvend në qershor të vitit të kaluar, ndër tjerash, përcaktonte ndërprerjen e mandatit të prokurorëve dhe në këtë mënyrë, parashihte ndryshimin e përbërjes së KPK-së.

Avokati Faton Fetahu është i bindur se Osmani ishte duke e pritur vendimin e Kushtetueses për Ligjin për KPK-në. Nga Presidenca nuk kishin treguar asnjëherë se pse nuk ishte marrë një vendim për Kryeprokurorin.

Tani dihet se mosdekretimi i Isufajt do ta kthente procesin në pikën zero, por Presidentja e ka parasysh se përbërja aktuale e KPK-së mund ta bëjë zgjedhjen e njëjtë dhe t’ia çojë sërish emrin e Isufajt për dekretim.

Për këtë shkak, avokati Fetahu tha të martën në Pressing të T7 se e ka marrë autorizimin e grupit parlamentar të PDK-së për ta dërguar Presidenten në instancën më të lartë mbi pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv në Kosovë.

“Dua ta ndaj me ju një gjë. E para, kam marrë autorizimin nga grupi parlamentar i PDK-së që Presidenten – tashmë, nëse nuk lëvizë – ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese. Sepse Presidentja tashmë i ka dy rrugë. Deri më tash nuk kishte fakte dhe bazë ligjore për mosdekretimin e z. Blerim Isufaj, por thjesht u përpoq të arsyetonte se ne po sigurohemi nëse kandidatët konkurrues i kanë shteruar mjetet juridike. Por ky nuk është kusht nga presidentja për të pritur, nuk shkruan askund kështu”, tha Fetahu.

Avokati thotë se me këtë rast, Presidentja ka abuzuar me diskrecionin e saj.

“Nuk mund t’i presësh pesë vite ndërsa zgjasin procedurat gjyqësore, e të mos e dekretosh Kryeprokurorin, pozitën më të rëndësishme dhe ti po kërkon ta luftosh krimin dhe korrupsionin”, tha ai.

Sipas Fetahut, “është e qartë” se Osmani s’e ka dekretuar ende Isufajn për shkak se “nuk po i pëlqen emri i personit” dhe se “dëshiron ta rrënojnë procesin”.

“Sot i ka dy zgjidhje: ose ta dekretojë z.Isufaj, ose mosdekretimi i tij është se rruga e dytë është gjithsesi jokushtetuese. Është shkelje serioze e Kushtetutës që Presidenten e çon në shtëpi”, tha ai.

Por, Fetahu pranoi se kjo “është komplekse si situatë”, pasi tha se nevojiten 30 deputetë për ta dërguar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese.

Osmanit s’i përcakton afat ligji për (mos)dekretimin e Kryeprokurorit, por Fetahu thotë se në sistemin tonë kushtetues, Presidentja nuk mund të zgjedhë të mos i shfrytëzojë këto kopetenca, sepse në të kundërtën, sipas tij, “do të ishte pengesë për demokracinë”.

Osmani kishte thënë se e kishte njoftuar KPK-në që të mos presë nga ajo dekretimin e Blerim Isufajn në pozitën e kryeprokurorit, por e kishte lënë edhe më tutje të ngecur procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, pa marrë asnjë vendim.

“Këshilli Prokurorial është i njoftuar dhe atë në takimin e fundit që kemi pasur me ta. Është absurde që të pritet të dekretohet një proces, i cili është duke u kontestuar në gjykatat e Kosovës. Kjo nuk ndodh në një vend ku sundon ligji. E unë jam presidente që e respektoj ligjin dhe kushtetutën”, pati thënë Osmani më 26 tetor 2022.

Më 6 prill 2022, Këshilli Prokurorial i Kosovës e votoi unanimisht Blerim Isufajn për ta pasuar Aleksandar Lumezin në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Kur Lumezit i përfundoi mandati shtatëvjeçar, KPK e pati caktuar Besim Kelmendin ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, në veçanti Gjermania, e kishin konsideruar befasuese, zhgënjyese dhe shqetësuese, mënyrën se si Këshilli Prokurorial e kishte zgjedhur Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit.

Tri organizata joqeveritare: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL, i kishin kërkuar presidentes që të mos e dekretonte Isufajn, duke e konsideruar propozimin e KPK-së të papranueshëm.