Sulmi në Banjskë

Presidentja e KE-së: Po hetohet rasti në Bajnskë, pastaj vendosim për masat ndaj Serbisë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel në një konferencë për media pas takimit dy ditor, janë pyetur rreth situatës Kosovë-Serbi.

Michel, fillimisht ka thënë se në takimin e sotëm nuk është diskutuar për situatën mes dy vendeve.

“Dy takime, një me kryeministrin Kurti dhe një me presidentin Vuçiq, dhe takimi me Këshillin Evropian, sot nuk kemi folur për situatën në Kosovë. E përkrahim deeskalimin, normalizimin”, tha ai.

Ndërkaq, presidentja e KE-së është pyetur edhe për mungesën e masave ndaj Serbisë.

Ajo deklaroi se janë duke u zhvilluar hetimet, dhe pas kësaj, do të vendoset në lidhje me këtë çështje.

“Ka një hetim që po zhvillohet. Kemi thënë disa herë që kur të përfundojë hetimi, do të vendosim për masat, dhe çfarë janë ato”, u shpreh ajo.