Presidenti i Lyonit kritikon ashpër Ligue 1: Kjo është vjedhje

Presidenti i Lyonit, Jean-Michel Aulas, thotë se klubit të tij i është rrëmbyer mundësia për të luajtur në Evropë sezonin e ardhshëm dhe thotë se vendimi për ta përfunduar sezonin në Ligue 1 para kohë ishte i padrejtë.

Pasi kryeministri francez Edouard Philippe lajmëroi se nuk do të luhej asnjë ndeshje futbolli para shtator, LFP-ja e konfirmoi të enjten se sezoni 2019/20 është përfunduar para kohe dhe se kampioni dhe kualifikimi në Evropë do të vendoseshin në bazë të tabelës aktuale.

Kjo do të thotë që Paris Saint-Germaini arriti ta fitojë titullin e kampionit për të tretin vit radhazi, ndërsa Marseille dhe Rennes i morën dy vendet e tjera kualifikuese për Ligën e Kampionëve.

Ndërkohë, Lyoni përfundoi në pozitën e shtatë, jashtë vendeve kualifikuese për Evropë. Lyoni ka reaguar ashpër ndaj këtij vendimi, duke thënë se liga është dashur të vendosej në fushën e blertë, edhe nëse do të ishte dashur ndryshim i formatit, e jo në dhomën e bordit të ligës.

Lyoni beson se LFP-ja u ngut për ta mbyllur sezonin, përderisa shtoi se kjo mënyrë nuk është as në pajtim me kërkesat e UEFA-s për kualifikim në Evropë në bazë të meritave sportive, mirëpo e quajti PSG-në si kampion me meritë. Për këtë arsye, Lyoni e apeloi vendimin dhe paralajmëroi ngritje të padisë.

Qëndrimin e Lyonit e ka theksuar edhe më tutje presidenti Aulas, në një intervistë të dhënë së fundi.

“Ne e kundërshtojmë vendimin për tri arsye. Fillimisht LFP-ja vendosi ta përfundojë para kohe sezonin nga informata që s’u dekretuan nga qeveria franceze. Kjo u bë e ditur nga deklaratat e fundit të ministres së sportit, që tha se ndeshjet mund të luhen prapa dyerve të mbyllura dhe me më pak se 5000 njerëz të pranishëm”, ka thënë Aulas.

“Ne besojmë se LFP-ja veproi shumë shpejt për ta ndalur ligën. Ne i propozuam disa skenare të ndryshme, me play-offs që mund të kishin shtuar interesimin e televizioneve”.

“Unë nuk dua ta sulmoj askënd më shumë sesa dikë tjetër, por Nice [që u radhit në pozitën e pestë] luajti më shumë ndeshje në shtëpi sesa ne dhe luajti vetëm një herë kundër PSG-së, ndërsa ne luajtëm kundër tyre dy herë”.

“Ky nuk është një vendim pa pasoja. Kjo na e vjedh neve një mundësi që është shumë e rëndësishme, që ka vlerë të madhe. Ne do të kërkojmë dëmshpërblimin që na takon, që është dhjetëra miliona euro”.