Presidenti i La Ligas, Javier Tebas ka akuzuar Paris Saint Germainin dhe Manchester Cityn për thyerje të rregullave, ndërsa ka kërkuar që kampionët e Francës të pezullohen nga Champions League.
Financat e të dyja klubeve u hetuan gjatë muajit të kaluar pas artikujve të revistës gjermane “Der Spiegel” që pretendonin se PSG dhe City kishin vepruar ndesh me rregullat e UEFA-së në lidhje me Fair Play Financiar.
Drejtuesit e të dyja klubeve i mohuan këto akuza me anglezët që deklaruan se kjo kampanjë ka për qëllim prishjen e autoritetit të klubit, ndërsa parisienët siguruan se i kanë qëndruar rregullave të kërkuara nga UEFA.
Megjithatë, presidenti i La Ligas ka thënë se Manchester City dhe Paris Saint Germain kanë bërë hile dhe për këtë arsye duhet të dënohen.
“E kam thënë që para dy viteve se Manchester City dhe PSG ishin duke bërë hile, kështu që nuk ka qenë befasi për mua. Është shumë e rëndësishme që UEFA të bëjë diçka serioze për këtë rast. Ata e kanë disbalancuar futbollin dhe strukturën e lojës. Këto skuadra duhet të dënohen, t’i detyrosh të qëndrojnë jashtë Champions Leagues për 1 vit do të dërgonte mesazhin se rregullat duhet të respektohen”, tha Tebas.
Më herët për këtë çështje ishte prononcuar edhe trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola i cili kishte thënë se nëse klubi i tij i ka thyer rregullat atëherë do të dënohen.







