Javier Tebas

Presidenti i La Ligas beson se Messi e Ronaldo kanë humbur dhe jo “El Clasico”

Presidenti i La Ligas, Jaiver Tebas beson se “El Clasico” nuk ka humbur asgjë pavarësisht mungesave të Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos, teksa mendon se Real Madridi dhe Barcelona janë më të mëdha se kjo dyshe.

Messi do të mungojë në përballjen e së dielës për shkak të lëndimit në krahë, ndërsa Cristiano Ronaldo gjatë verës së kaluar vendosi të largohej nga “Los Blancos” pas 9 viteve të kaluara në “Santiago Bernabeu”.

Kjo do të jetë hera e parë që nga viti 2007 që “El Clasico” do të zhvillohet pa dy prej lojtarëve më të mirë në botë, teksa sfida e zhvilluar para 11 viteve fitohej nga Real Madridi 0-1 në “Camp Nou”.

Ideja se spektakli i këtij dueli nuk do të jetë i njejtë është hedhur poshtë nga presidenti i La Ligas, Javier Tebas.

“Mendoj se Messi dhe Ronaldo do të jenë pala humbëse që nuk do të jenë pjesë e “El Clasicos”. Kjo ndeshje nuk humbet për shkak se është niveli më i lartë i futbollit me dy skuadra të mëdha që janë mbi lojtarët. Mungesa e tyre do të jetë pozitive në aspektin strategjik”, u shpreh Tebas.

Ndeshjet mes Barcelonës dhe Real Madridit ngjallin gjithmonë tension, ndërsa Tebas nuk është i shqetësuar në lidhje me aplikimin e teknologjisë VAR.

“Nuk jam i frikësuar nga VAR sepse kemi punuar shumë me këtë teknologji, poashtu kemi punuar edhe me gjyqtarët. Pavarësisht se në këtë ndeshje mund të ndodhin ekzagjerime të ndryshme, besoj se VAR do të funksionojë si duhet”. përfundoi Javier Tebas.