Presidenti i Juventusit mbështet Cristiano Ronaldon pas akuzave për përdhunim

Presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli i ka dhënë mbështetjen e tij Cristiano Ronaldos pas akuzave që kanë mbërritur te ylli portugez lidhur me një përdhunim.

Modelja amerikane, Kathryn Mayorga e ka akuzuar 5 herë fituesin e Topit të Artë se e ka përdhunuar atë në vitin 2009 në një hotel të Las Vegasit.

Gazeta gjermane “Der Spiegel” i ka raportuar e para këto pretendime, teksa ndër të tjera thuhet se Ronaldo i ka blerë heshtjen Mayorgas për 375.000 dollar, gjë që është konfirmuar edhe nga avokati i futbollistit të Juventusit, por që sipas tij disa dokumente janë falsifikuar.

Akuzat janë mohuar nga Ronaldo, ndërsa policia e Las Vegasit e ka rihapur hetimin. Sidoqoftë presidenti i “Zonjës së Vjetër”, i ka dalur në ndihmë ish sulmuesit të Real Madridit.

“Kur ka problem unë preferoj t’i shoh njerëzit në sy, i pyes dhe pastaj e nxjerr një përfundim timin. Jam i qetë, unë kam folur me Ronaldon në momentin e parë kur doli ky lajm. Sjellja e tij ma konfirmoi përshtypjen fillestare. Unë i kam treguar atij se dyert e mija janë gjithmonë të hapura për të kurdo që ka nevojë për diçka”, theksoi Agnelli.

Cristiano Ronaldo ka realizuar 5 gola në 11 paraqitje këtë sezon me fanellën e Juventusit.