Marijan Kustiq

Presidenti i federatës kroate falënderon tifozët derisa njofton për procedurën e UEFA-s

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kroacisë (HNS), Marijan Kustiq, ka falënderuar tifozët kroatë derisa ka konfirmuar se UEFA ka nisur procedurë disiplinore ndaj federatës kroate dhe asaj të Shqipërisë.

UEFA heton dy federatat pas pretendimeve që kishte thirrje raciste e diskriminuese në ndeshjen Kroaci – Shqipëri që përfundoi 2:2. Do të hetohet lidhur me pretendimet se kishte thirrje “mbyte serbin”.

Por Kustiq vlerëson përkrahjen e tifozëve.

“Procedura është hapur. Ne gjithnjë kemi thënë se HNS-ja dënon çdo thirrje në urrejtje e diskriminim. Në ndeshjen e parë kemi pasur vërejtje nga delegati për disa mjete ndezëse dhe gota të hedhura. Tani procedura është hapur dhe ata le të dëshmojnë që vërtetë ishte ashtu. Unë personalisht nuk e kam parë atë, pos që kanë shkruar disa media për këtë. Me këtë rast dua të falënderojë gjithë tifozët tanë. Të mblidhen 100 mijë tifozë tanë, vërtetë i uroj për këtë”, ka thënë Kustiq.