Presidenti i Barcelonës e pranon: Do t’i largojmë disa futbollistë

Presidenti i Barcelonës, Josep Bartomeu, ka konfirmuar se klubi është duke punuar për shitjen e disa futbollistëve, si dhe për prurje të reja në këtë afat kalimtar veror.

Kampioni i Spanjës dështoi ta mbrojë titullin në Kupën e Mbretit, pasi të shtunën u mposht 2:1 nga Valencia.

Philippe Coutinho, Samuel Umtiti, Malcom dhe Andre Gomes janë në mesin e lojtarëve të profilit të lartë që thuhet se do të largohet nga Barcelona këtë verë.

Mesfushori holandez Frenkie de Jong do është prurja e parë e Barçës këtë verë, pas marrëveshjes mes klubeve për 75 milionë funte në janar.

Duke folur pas humbjes nga Valencia, Bartomeu tha: “Sezoni mbaron me titullin në La Liga. Nuk ishte shkruar ta fitonim Kupën e Mbretit dhe do të shikojmë përpara”.

“Çdo vit vijnë lojtarë të rinj. Deri tani e kemi konfirmuar blerjen e De Jongut dhe tani do të punojmë për të sjell lojtarë të tjerë dhe për të larguar lojtarë të tjerë”, shtoi ai.