Presidenti i Atleticos i zhgënjyer me vendimin e Griezmann për t’u larguar

Vendimi i Antoine Griezmann për t’u larguar nga Atletico Madridi në fund të këtij sezoni ka zhgënjyer pafund presidentin e “Los Colchoneros”.

Madje ky i fundit ka mbetur i shokuar nga zgjedhja e sulmuesit francezi.

Në një intervistë Cerezo shprehu të gjithë zhgënjimin e tij për lamtumirën e Griezmann pas 5 vitesh nga bardhekuqtë, madje për numrin 1 të skuadrës madrilene, vendimi i francezit për t’u larguar ka qenë si një rrufe në qiell të hapur për të.

“Më shumë se i acaruar, jam i zhgënjyer, pasi realisht mendoja se Griezmann do të kishte një të ardhme të madhe këtu me ne. Do të fitonim tituj të rëndësishëm dhe shumë trofe së bashku. Problemi është se çdo njeri e shikon ndryshe një situatë të caktuar. Ne e respektojmë vendimin e tij. Ishte diçka e befasishme, jam i zhgënjyer. Nëse do të isha këshilltari i tij, do t’i sugjeroja të qëndronte këtu, jeta është e mirë këtu dhe të gjithë e konsideronin Griezmannin si një njeri të rëndësishëm”, përfundoi numri 1 i Atleticos, Enrique Cerezo.