Presidenti Agim Ademi mesazh emocionues për Berishën, Kryeziun e Zenelin

Këtë vit rezultatet dhe paraqitja e ekipit tonë Kombëtar kanë bërë jehonë të madhe kudo.

Seria e Dardanëve prej 14 ndeshjeve pa humbje e ka shndërruar Kosovën në storie suksesi.

Fatkeqësisht, ky rrugëtim i suksesshëm pati edhe pasojat e veta, ngase tre futbollistët kyç të formacionit të parë pësuan lëndime, Valon Berisha, Hekuran Kryeziu dhe Arbër Zeneli.

Derisa Berisha është pothuajse gati për të ndryshuar gjithçka te Lazio, Zeneli e Kryeziu duhet ende kohë për t’u rikuperuar.

Tani ka ardhur edhe një mesazh motivimi për futbollistët e “Dardanëve” nga numri një i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

“Më gëzon fakti se Valon Berisha, Hekuran Kryeziu e Arbër Zeneli edhe gjatë kësaj periudhe të vështirë treguan karakter dhe vullnet të fortë dhe tashmë po punojnë për t’u rikuperuar sa më shpejtë nga lëndimet.

Të tre këta futbollistë janë shumë të rëndësishëm për ekipin tonë kombëtar dhe për klubet e tyre, por njëherësh edhe shumë të dashur për publikun. Pa dyshim, ata, po na mungojnë në fushën e gjelbër, por gjithmonë janë me ne dhe na përkrahin pa rezervë.

Në emrin tim dhe të KE të FFK-së shpreh gëzimin që janë duke e kaluar këtë fazë me përkushtim dhe vullnet të madh dhe u dëshiroj rikthim sa më të shpejtë në fushën e gjelbër.

Ne jemi me ju djema.

Forca Valon, Hekuran dhe Arbër!

Ju jeni krenaria jonë, jeni motivi i Dardanëve dhe i gjithë rinisë së Kosovës!

Jam i bindur që shumë shpejtë do t’iu shoh në formacionin e Kombëtares tonë dhe do të ktheheni shumë më të fortë për ta vazhduar rrugën e sukseseve së bashku.

Njëherësh edhe të gjithë futbollistëve tjerë ju uroj përgatitje, formë dhe paraqitje sa më të mira në edicionin e ri, me besim të madh në vazhdimin e serisë së rezultateve pozitive me Kombëtaren tonë. Po ashtu, dirigjentit të ekipit kombëtar, trajnerit Bernard Challandes i uroj shërim të shpejtë dhe fat e suksese edhe në ndeshjet e ardhshme.

Vazhdojmë me krenari dhe përgjegjësi!”, ka shkruar Agim Ademi president i FFK-së.