Sulmi në Banjskë

Prelec: Ka shumë mundësi që grupi i Radoiçiqit mund të jetë stërvitur nga ushtria e Serbisë për sulmin në Banjskë

Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka vendosur konfliktin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në listën e krizave për t’u vëzhguar në Evropë në vitin 2024, krahas luftës në Ukrainë.

Eksperti për Ballkanin i kësaj organizate Marko Prelec i tha Zërit të Amerikës se pritjet për një normalizim në mes Kosovës dhe Serbisë këtë vit janë zbehur plotësisht dhe se veprimet e fundit tregojnë se asnjëra palë nuk është e interesuar për t’i dhënë një fund konfliktit.

“Ngjarja në Banjskë ishte me të vërtetë një kthesë e madhe. Serbia dhe mendoj serbët e Kosovës sigurisht ndihen të humbur shumë në këtë ngjarje. Kjo u kushtoi një pjesë të mirë të simpatisë ndërkombëtare që e kishin siguruar ndër vite. Dhe konfirmoi qëndrimin e qeverisë së Kosovës se në veri nuk po ballafaqohej me një popullsi të rebeluar apo të pakënaqur, por me një operacion terrorist të manipuluar nga Serbia për të cilin përgjigja e duhur ishin operacionet anti-terroriste të drejtuara nga policia speciale. Mendoj se njerëzit e kanë kuptuar se ky ishte një gabim i Beogradit dhe atyre njerëzve mes komunitetit serb në Kosovë që kanë qenë të interesuar për një rezistencë të tillë të organizuar. Do të befasohesha po të shohim diçka të ngjashme sërish, por nuk mund ta përjashtojmë. Ka lloje të ndryshme njerëzish dhe shumë armë në rajon, sigurisht. Por, nuk po parashikojmë ndonjë konflikt të shkallës së gjerë”, tha ai.

I pyetur se përse mendoni që Serbia po furnizon me armë paramilitarët serbë. Bazuar në atë se në raport bëhet thirrje BE-së që të ushtrojë trysni mbi Serbinë për të gjetur burimin e armatimit të rëndë dërguar paramilitarëve serbë në Kosovë.

“Është pyetje me vend dhe pyetje për të cilën nuk kam përgjigje të mirë. Nuk besoj që dikush e di saktë. Është e qartë që ato armë erdhën nga Serbia dhe janë dërguar kohët e fundit. Pra, janë prodhim i kohëve të fundit. Këto armë nuk mund t’i gjesh, të themi, në treg të hapur. Ka shumë mundësi që grupi i udhëhequr nga Milan Radoiçiqi të jetë stërvitur deri diku nga ushtria e Serbisë. Kjo është çfarë dimë. Ajo çfarë nuk e dimë saktë është se cili ishte qëllimi i tyre. Unë do thoja se kishin si synim nxitjen e një konflikti të armatosur me njësitë speciale të policisë së Kosovës me shpresë që KFOR-i do të tërhiqej në konflikt duke u futur mes të dyja palëve dhe të merrte kontrollin e plotë mbi veriun e Kosovës dhe t’i urdhëronte autoritetet e Kosovës që të largoheshin tërësisht nga ajo pjesë. Për mua vetëm kjo ka kuptim. Grupi nuk duket të ketë qenë aq i madh numerikisht sa për ta marrë vetë kontrollin e plotë mbi tërë veriun e Kosovës. Por nga ana tjetër armatimi i tyre ishte i tillë që përdoret vetëm kundër një kundërshtari të armatosur mirë me armë të blinduara si njësitë speciale të Kosovës. Rrjedhimisht, mund të mendohet se kishin në plan t’i përdornin këto armë dhe me qëllim për të vrarë”, u përgjigj ai.

VIDEO BONUS: