Albin Prapashtica ka bërë thirrje nga dhoma e konferencës për bashkëlojtarët e tij që të reflektojnë dhe të luftojnë edhe më shumë për të arritur rezultatet pozitive.

Duke folur ndeshjen e radhës kampionale që Gjilani e zhvillon ndaj Llapit, futbollisti sulmues ka potencuar se brenda skuadrës ka harmoni dhe mbi të gjitha cilësi për të kërkuar maksimumin e pikëve.

“Na pret një ndeshje e vështirë, mirëpo ne jemi të fokusuar në ekipin tonë për të arritur qëllimet tona. Kemi cilësi brenda ekipit, ajo çfarë na mbetet është të demonstrojmë atë të cilën e kemi punuar dhe të luftojmë për të marrë maksimumin e pikëve”, potencoi Prapashtica.

Prapashtica vuri në theks gjithashtu edhe eliminimin e gabimeve nga ndeshja e kaluar, ndërkohë që është shprehur optimist se skuadra do të rikthehet te rezultatet pozitive.

“Kemi analizuar ndeshjen e kaluar dhe do mundohemi që gabimet e bëra të mos i përsërisim. Duhet të reflektojmë dhe të rikthehemi te rezultatet pozitive”, përfundoi Prapashtica.

Dueli ndërmjet Gjilanit dhe Llapit zhvillohet këtë të shtunë në stadiumin ndihmës në Gjilan me fillim nga ora 13:00.