Pranon fajësinë, dënohet me 800 euro gjobë i akuzuari për armëmbajtje pa leje

Gjykata Themelore në Pejë, e ka dënuar me 800 euro gjobë, të akuzuarin për armëmbajtje pa leje, Edison Gashi.

Shpallja e aktgjykimit është bërë nga gjykatësi Shaqë Curri, menjëherë pas seancës fillestare, ku edhe është aprovuar marrëveshja mbi pranimin e fajësisë, të lidhur me Prokurorinë Themelore në Pejë, më 24 shtator 2019, e cila parashihte shqiptimin e dënimit me gjobë prej 800 eurosh.

Po ashtu, atij i është shqiptuar edhe dënimi plotësues, konfiskimi i armës, me të cilën është kryer vepra penale.

Gjykatësi Curri tha që dënimin me gjobë, i akuzuari është obliguar që ta paguajë në afat prej 90 ditësh, nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

I akuzuari Gashi është obliguar edhe në pagesën e shpenzimeve gjyqësore në shumë prej 100 euro, dhe taksën për kompensimin e viktimave të krimit në shumë prej 30 euro.

Pranimin e marrëveshjes me prokurorinë, e ka mbështetur edhe mbrojtësja sipas detyrës zyrtare, avokatja Shqiponje Beqiraj, e cila njëkohësisht kërkoi që të mbrojturit të saj t’i shqiptohet një dënim minimal, dhe i njëjti dënim sipas saj, t’i mundësohet ta paguajë me këste.

Pranimin e fajësisë e ka mbështetur edhe prokurori Astrit Gashi, e më pas e ka aprovuar edhe gjykatësi Curri.Sipas aktakuzës së ngritur më 25 shtator 2019, Edison Gashi akuzohet se më parë e deri më 25 gusht 2019, në Pejë, ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar, një pistoletë “Sigsaurer”, një karikator dhe 10 copë gëzhoja, e cila është gjetur dhe konfiskuar nga ana e policisë.

Në bazë të kësaj, i pandehuri akuzohet për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të narkotikëve”, nga neni 366, paragrafi 1 i KPRK-së.