Tarifat e rrymës

​Pozitë dhe opozitë nuk presin shtrenjtim të tarifave të energjisë

Pozita dhe opozita nuk presin rritjen e çmimit të tarifave të energjisë elektrike. Madje sipas tyre, Zyra e Rregullatorit të Energjisë duhet të rishikojë për uljen e çmimit të rrymës. Në anën tjetër, në ZRrE nuk mohojnë mundësinë e shtrenjtimit të tarifave.

KosovaPress ka pyetur KEDS dhe KESCO-n, nëse kanë kërkuar rritjen e energjisë elektrike, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e kësaj teme.

Nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), thonë se janë në fazën fillestare të shqyrtimit të komenteve dhe raportit konsultativ, dhe se nuk i kanë ende informatat rreth çmimeve të tarifave.

Kryetari i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu thotë se procesi do të përfundojë më 31 mars, dhe pas kësaj do të dalin me njoftim.

“Meqenëse ende jemi në fazën fillestare, pas pranimit të komenteve, ne do e kemi një pasqyrë sa më të saktë, për momentin nuk i kemi informatat e kompletuara rreth çmimeve të vitit ardhshëm…Brenda dy jave janë konsultimi publik, pastaj dhjetë ditë kemi kohë stafi i ZRrE-së, të përgatisim përgjigje ndaj komenteve dhe raportin konsultativ, që d.m.th procesi përfundon më 31 mars. Ne jemi në fazën fillestare të këtij procesi”, thotë Fejzullahu.

Deputeti nga partia në pushtet, Driton Hyseni konsideron se ZRrE-ja, duhet të rishikojë për ulje të tarifave të energjisë, dhe assesi të ketë rritje të tyre.

Sipas tij, me tarifat që janë aktuale, është arrit të përmbushet hendeku i madh financiar që ishte në sektor si pasojë e krizës energjetike.

“Konsideroj që plani i rregullt i rishikimit të tarifave të energjisë elektrike nga ana e Zyrës së Rregullatorit për Energji, i cili është në kalendarin e zyrës së rregullatorit. Pra në prill do të na sjellë një situatë kur do të kemi një vlerësim të qartë lidhje me atë se sa është përmbushur me tarifat aktuale që aplikohen në vendin tonë, ai hendeku i madh i cili ishte krijuar nga kriza e madhe energjetike, e cila kishte kapluar jo vetëm Kosovën, në fund të vitit 2021, por përfshiu komplet edhe Evropën në vitin 2022, e sigurisht neve na ndikoi shumë… duke marrë për bazë një ulje të mirë të çmimit të energjisë elektrike nëpër bursat ndërkombëtare, duke marrë për bazë përformancen e mirë të KEK-ut, sa i takon gjenerimit të energjisë elektrike në vend, konsideroj se në asnjë rast, skenar nuk do të kemi rritje të çmimit të energjisë elektrike në prill, mirëpo ZRrE-ja, konsideroj që është e nevojshme ta rishikoj edhe uljen për shkak se mendoj që me tarifat që janë aktuale, është arrit të përmbushet ai hendeku i madh financiar që ishte në sektor si pasojë e krizës energjetike”, thotë Hyseni.

Në anën tjetër, edhe partitë opozitare thonë se nuk është e drejtë që të ketë rritje të çmimit të rrymës, pasi sipas tyre, do të rëndohet më shumë gjepi i qytetarëve.

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Ferat Shala thotë se çdo orvatje tjetër në çfarëdo forme ligjore apo joligjore për ngritjen e çmimit të energjisë, bie në kundërshtim me gjitha parimet e ekonomisë së tregut.

“Çdo orvatje tjetër në çfarëdo forme ligjore apo joligjore për ngritjen e çmimit të energjisë, bie në kundërshtim me gjitha parimet e ekonomisë së tregut, të gjitha parimet e gjendjes reale ekonomike të vendit tonë… Nuk do dëshiroja të mendoja që qeveria në çdo vit të ngrit çmimin e energjisë, edhe ashtu për dy vitet e fundit qeveria ka ngritur çmimin e energjisë mbi 120 për qind”, thotë Shala.

Se çmimi i rrymës nuk ka arsyeje që të rritet e thotë edhe deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Valentina Rexhepi-Bunjaku, e cila shton se nëse ndodh e kundërta, duhet të ketë rritje edhe të pagave në Kosovë.

“Realisht duhet të mendohet me kokë ftohtë edhe ZRrE, sepse qytetarëve i është bërë jeta e papërballueshme. Në qoftë se duhet patjetër të ketë ngritje të tarifave për energji elektrike duhet të ketë edhe ngritje të pagave në Kosovë, dhe thjesht të zbutet papunësia. Me këtë situatë, këtë gjendje ekonomike tani siç është Kosova, është e papërballueshme për qytetarët që të kenë rritje të energjisë elektrike, sepse koeficienti është i ultë, papunësia e lartë, dhe nuk e di si do aj dalin qytetarët tanë”, thotë Bunjaku.

Lidhur më tarifat e energjisë elektrike, KosovaPress, ka dërguar pyetje edhe në KESCO dhe KEDS, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e kësaj teme.

VIDEO BONUS: LDK e AAK thirrje Qeverisë: Çështjet e brendshme të Kosovës s’duhet të diskutohen me Serbinë