Posteri i Këlliçit ku nxjerr dy gishtat e mesit, Berisha: Meritojnë shumë më tepër, të isha unë si ai kushedi çdo nxirrja

Sali Berisha ka marrë në ‘mbrojtje’ kandidatin e tij për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçin pas kritikave lidhur me posterin e pahijshëm të vendosur në rrugët e kryeqytetit, ku shfaqet me dy gishtat e mesit lart.

Madje Berisha shprehet se meritojnë shumë më tepër se aq dhe duket se e nxit Këlliçin të ndjekë këtë rrugë duke thënë se po të ishte në vend të tij, kushedi cdo të nxirrte.

“Ata që vjedhin qytetarët meritojnë jo gishtin, por shumë herë më tepër.

Ata që vjedhin qytetarët meritojnë çdo formë diskreditimi, ata që mbrohen nga Rama dhe drejtësia e tij, atë e kanë pak, meritojnë çdo gjë tjetër.

Pastaj çdo njeri duhet të marrë parasysh, një i ri ka imagjinatën e vet dhe shprehjen e vet. Po të isha unë, ku e di ti ç’mund t’i nxirrja unë atyre. Më duket pak ajo të them të vërtetën”, tha Berisha.