Poshtërsia e tifozëve të Swanseat para derbit të Uellsit

Nis në mënyrën më të keqe të mundshme (pragndeshja) derbi i Uellsit, në Championship, mes Swansea dhe Cardiff Cityt, i programuar për t’u zhvilluar këtë të diel, në orën 13:00, në “Liberty Stadium”, në kuadër të javës së 14-të.

Një veprim makabër dhe i papranueshëm nga tifozët e Swanseat ka njollosur pragndeshjen. Në rrjetet sociale është shfaqur një foto e biletave të rreme ajrore me emrin e Emiliano Salas, ish sulmuesit argjentinas, që humbi jetën më 21 janar të këtij viti, ndërsa po udhëtonte me një avion të vogël privat nga Nantes drejt Cardiffit.

Një veprim i ulët dhe i turpshëm, i kryer nga disa idiotë, që kanë menduar të ofendojnë kujtesën e djaloshit të ndjerë, duke shpërndarë në qytet biletat e rreme.

Një episod që ka tronditur Mbretërinë e Bashkuar, duke përfshirë edhe klubin e Swanseat, që nëpërmjet një komunikate ka mbajtur një qëndrim të prerë kundër këtyre tifozëve, madje edhe duke premtuar se do të bashkëpunojë me policinë për të identifikuar përgjegjësit e kësaj poshtërsie.

loading…