Portjeri 23-vjeçar nga Kosova, në ndjekje të ëndrrave të tij

Granit Statovci, 23 vjeçar, nga Fushë- Kosova, është portjer tash e gati 15 vite.

Karrierën e tij si sportist, e filloi në moshën 8- vjeçare, në klubin “KF Fushë Kosova”, për t’iu bashkuar pas 11 viteve, kombëtarës së Kosovës në U19.

Ai ishte portjer edhe në vitin 2013, me kombëtaren e Kosovës, në një turnir të organizuar në shtetin maqedon, ku gjatë katër ndeshjeve të zhvilluara nuk kishte pranuar asnjë gol, ku edhe u zgjodh si portjeri më i mirë, përcjell Ballkani.info.

Gjatë këtyre viteve, ai morri pjesë si portjer edhe në turnire të tjera, si pjesë e skuadrës të “KF Fushë Kosova”, në Shqipëri ku gjithashtu kishte treguar rezultate mahnitëse duke mos pranuar asnjë gol në 8 ndeshje radhazi.

Në vitin 2012, skuadra e tij ishte shpallur kampione e Kosovës me gjeneratën U17, ku prap u zgjodh kadet me meritë, shkaku që dërgoi skuadrën e tij drejt fitores, në mbrojtjen e dy penaltive.

Sot, 23-vjeçari, Granit Statovci nuk po sheh më tutje perspektivë në shtetin e Kosovës dhe po synon vendet Evropiane.

“Sporti në Kosovë nuk ka perspektivë shumë, pasi që mendoj se ai që ka më shumë të ardhura është gjithmonë më lart se tjetri që ndoshta nuk ka të ardhura të njejta, por e ka talentin. Vazhdoj të merrem me këtë sport edhe pse në mungesë të perspektivës në vendin tim, por synimi im është të arrij aty ku jam nisur, e ky qëllim është të luaj diku në vende Evropiane” ka thënë Statovci për Ballkani.info.