“Populli po kërkon mjete nga Trusti”| Kurti në opozitë “populli duhet pyetur për gjithçka”, por tani ofendon rëndë “populli nuk është ekspert”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka ofenduar rëndë popullin e Kosovës nga foltorja e Kuvendit, ku po diskutohet projektligji për lejimin e një pjese të mjeteve nga Trusti. Duke iu përgjigjur fjalimeve të deputetëve opozitarë në Kuvendin e Kosovës se “populli po kërkon tërheqjen e mjeteve të Trustit”, Kurti që gjatë kohës sa ishte vetë në opozitë vazhdimisht thoshte se “populli duhet pyetur gjithçka”, është treguar i ashpër me ‘popullin’, shkruan Demokracia.com Madje, ai ka kaluar edhe në ofendime ndaj ‘popullit’.

Kryeministri Kurti ka thënë se “populli nuk është ekspert”, duke kundërshtuar në këtë mënyrë kërkesën për tërheqjen e mjeteve nga Trusti. “Populli duhet të pyetet, por kritika ime ishte në pretendimin që nuk ka ekspertizë si popull. Kjo është gabim. Ekspertiza i përket ekspertëve, që janë qytetarë të Republikës, dalin nga populli, por populli ekspert nuk është. Prandaj ekziston edhe arsimi i lartë e specializimi. Ata kontribuojnë për popullin, por kjo s’do të thotë që populli është ata. Kaq sa i përket tezës populiste që populli është ekspert”, ka thënë Kurti të enjten në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Ai gjithashtu tha se populli është burim i sovranitetit, por në Republikë shteti është sovran, ndërsa në monarki është mbreti ose mbretëresha. Sipas tij, populli është burim i sovranitetit, por është gabim pretendimi se populli ka ekspertizë. Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, kryeministri Kurti ka qenë kategorikisht kundër projektligjit që mundëson tërheqjen e një përqindje të caktuar të mjeteve nga Trusti. /Demokracia.com/