Zdravko Ponosh

Ponosh: Vuçiqi si Millosheviqi, erdhi në pushtet me temën e Kosovës dhe do të largohet me të

Kryetari i partisë Qendra Serbe (SRCE), Zdravko Ponosh, vlerësoi se 5 tetori është “simbol i punëve të papërfunduara”, prandaj ekziston “situata e pasagjerit të tetë” (film fantastiko-shkencor i vitit 1979), sepse sipas tij, edhe sot Serbia e ka të njëjtën “krijesë”, vetëm në mishërim të ri, raporton N1info.

“Ajo krijesë tani është më e rrezikshme sepse ka pësuar mutacion në një formë edhe më të keqe.  Ata që përbënin regjimin në vitet 1990 ishin më të arsimuar dhe ata sot janë të pashkolluar, arrogantë dhe të çrregullt. Ne duhet ta përfundojmë atë punë sot, dhe kjo mund të bëhet vetëm me lustracion”, tha Ponosh në forumin në Vërshac.

Ai shtoi se ish-presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviq “erdhi në pushtet me temën e Kosovës dhe u largua me atë temë”, dhe se njëjtë edhe presidenti aktual, Aleksandar Vuçiq “erdhi në vitin 2012 me po atë temë dhe do të largohet me këtë temë”.

“Vuçiq krijon iluzionin se do t’i mbrojë këta njerëz dhe gjatë gjithë kohës po e ‘shtyn’ Kosovën nga Serbia dhe po e lë në kullim. E vetmja gjë e rëndësishme për të është që ta kalojë përgjegjësinë nga vetja te populli i Kosovës. Ai fillimisht armatosi njerëzit dhe afroi ushtrinë në vijën administrative, dhe më pas i akuzoi ata për “vetëorganizim” dhe ua kaloi të gjithë përgjegjësinë”, tha Ponoš.

Kryetari i partisë Qendra Serbe ka vlerësuar se “nëse regjimi do të kishte dëgjuar qytetarët e protestës, nuk do ta kishim Banjskën” ku një grup i armatosur serb sulmoi policinë e Kosovës më 24 shtator./Klankosova