Policia shqiptare kërkon informacione në Kosovë, kush janë ‘Daja’ dhe ‘Tani’ i grabitjes së Rinasit

Policia e Shtetit ka nisur shkëmbimin e informacioneve reciproke për të mësuar se kush fshihet pas pseudonimeve të ‘Dajës’ dhe ‘Tanit’ që kanë dalë gjatë përgjimeve të grabitjes së Rinasit.

Dy grabitësit me pseudonimet e mësipërme thuhet se janë shtetas kosovarë, për këtë arsye Policia e Kosovës ka nisur identifikimin e tyre.

“Daja’ dhe “Tani” kanë dalë nga dëshmia e Alkond Bengasit, personi i cili ka modifikuar furgonin me mbishkrimin ‘Hetimi Tatimor’, që u përdor më pas në grabitjen e 9 prillit në Rinas.

Deri tani sipas policisë janë zbardhur rreth 90 për qind e emrave të përfshirë në këtë ngjarje.

Ndërsa deri më tani ka 5 persona të ndaluar për këtë çështje dhe disa të tjerë që janë në kërkim.

Ballkani.info ka raportuar rreth dyshimeve për përfshirjen e një kosovari nga Gjakova në grabitjen në Rinas, por Policia e Kosovës nuk ka dhënë detaje shtesë, duke thënë se janë duke bashkëpunuar me policinë shqiptare edhe rreth këtij rasti dhe aktualisht janë në fazën e hetimeve. /Ballkani.info