Policia në Hong Kong qëllon me armë protestuesin – Pamje shqetësuese

Përleshjet në Hong Kong kanë nisur pasi policia ka shtënë me armë zjarri dhe ka lënduar rëndë një protestues teksa protestuesit po i bllokonin rrugët dhe po i vononin trenat.

Në pamjet që po qarkullojnë në mediat sociale, shihet një zyrtar policie të hënë teksa qëllon me armë tri herë ndaj protestuesve – duke goditur së paku një prej tyre nga afërsia – në një udhëkryq në lindje të Hong Kongut. Një 21 vjeçar iu nënshtrua një operacioni në një spital të afërt, sipas zyrtarëve të këtij spitali, që thanë se ai është në gjendje kritike, raporton WSJ.

Përleshjet krijuan konfuzion mes udhëtarëve që kishin marrë rrugën për në puna apo shkolla. Shumë prej tyre mbetën të ngujuar nëpër stacione hekurudhore, ndërsa disa universitete anuluan procesin mësimor për sot. Trazirat vazhduan edhe në pjesën tjetër të ditës teksa policia pushtoi qendrën e qytetit, transmeton Koha.net.

Pamjet e shfaqura drejtpërdrejt në Facebook treguan oficerin që i drejtonte armën një protestuesi para se ai të përleshej me një person tjetër.

Një burrë tjetër, i cili mbante maskë në fytyrë, i afrohet dhe oficeri e qëllon nga një distancë fare e afërt.

Nga pamjet nuk është e qartë nëse plumbat goditën dikë tjetër.

Në një deklaratë, qeveria konfirmoi që një oficer policie kishte shkarkuar revolverin e tij të shërbimit dhe se një njeri ishte qëlluar.

Pamje tjera të rënda po qarkullojnë online. Në një video tjetër të paverifikuar, një person në fanellë të gjelbër shihet teksa i hedhet përmbi një lëng i ndezshëm dhe i vihet zjarri pasi u konfrontua me protestuesit që e kishin vandalizuar një stacion metroje. Një fotografi tjetër e ka shfaqur atë pa fanellë me disa shenja djegieje. Sipas zyrtarëve shëndetësore, ai gjendet në spital dhe është në gjendje kritike.

Në një incident tjetër, Policia e Hong Kongut tha të hënën se ka suspenduar një polic nga punët në vijën e parë të frontit pasi ai është parë në një video duke vozitur motoçikletën e tij vazhdimisht në një grup protestuesish. Një zëdhënës tha se polici po tentonte të ndante protestuesit nga një grup policësh që ishte sulmuar.

Shefi Ekzekutiv i Hong Kongut, Carrie Lam, tha të hënën në mëngjes se qeveria e qytetit nuk do t’i dorëzohet dhunës, duke thënë se janë raportuar mbi 60 të lënduar të hënën.

Protestuesit, që tani kanë hyrë në muajin e gjashtë të protestave, nuk kanë shfaqur shenja tërheqjeje edhe pasi qeveria tërhoqi një projektligj për ekstradime që edhe i kishte nxitur trazirat.

Të shtënat që u panë sot me gjasë do të shtojnë edhe më shumë presionin ndaj qeverisë për të marrë parasysh kërkesat e protestuesve për një hetim të ri të pavarur për sjelljet policore. Veprimi i sotëm kërcënon të thellojë edhe ndarjen e mëtejme mes banorëve të Hong Kongut dhe qeverisë, transmeton Koha.net.

Ngjarja e sotme ka shënuar rastin e tretë që kur kanë nisur demonstratat që një protestues lëndohet pasi policia shtie me armë zjarri. Më 1 tetor, një student 18 vjeçar u qëllua në gjoks nga një polic, derisa po tentonte të sulmonte një polic, kanë treguar pamjet. Tri ditë më vonë, një 14 vjeçar u qëllua nga një polic jashtë detyrës i cili u rrethua nga protestuesit.

Një zëdhënës policie tha sot se “polici shtiu me armë teksa një protestues tentoi t’ia merrte armën”.

KUJDES: Pamjet e shfaqura në këtë video mund të jenë tejet shqetësuese për grupe të ndryshme të njerëzve!

loading…