Zubin Potok

Policia ndalon një person në Zubin Potok, kishte thikë dhe një bluzë me mbishkrim përçarës

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndaluar një person në Zubin Potok, pasi që i njëjti kishte veshur një bluzë me mbishkrim përçarës dhe të urrejtjes.

Rasti ka ndodhur ditën e shtunë, ndërsa gjatë kontrollit të veturës, policia ka gjetur edhe një thikë.

“Njësia policore gjatë patrullimit ka ndaluar një veturë të cilën e drejtonte i dyshuari mashkull kosovar. Gjatë legjitimimit njësia policore ka vërejtur se i dyshuari kishte të veshur një bluzë me mbishkrim përçarës dhe të urrejtjes, si dhe gjatë kontrollit në veturë është gjetur një thikë”, njofton policia.

Tutje, policia bën të ditur se bluza dhe thika janë sekuestruar, ndërsa i dyshuari pas inicimit të rastit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.