Policia mohon se gruaja rome ka kryer vepra penale, fotografinë e saj e shpërndanë për tallje disa të rinj

Brenda pak kohësh, fotografia e kësaj gruaje është shpërndarë me mijëra herë në rrjetet sociale.

Grupe të ndryshme online kanë alarmuar rrejshëm për rrezikun që pretendohej se ajo paraqiste, raporton KTV.

Nëpër postime u është bërë prindërve thirrje të kenë kujdes për fëmijët e tyre, meqë dyshohej se ajo mund t’i kidnaponte.

Ajo është parë brenda pak kohësh në disa qytete të ndryshme të Kosovës.

Të njëjtën, një vajzë 17-vjeçare thotë se e ka parë të mërkurën në sheshin e Dëshmorëve në Malishevë.

Sipas postimeve të ndryshme në rrjete sociale, gruaja e njëjtë është parë edhe në stacionin e autobusëve në Malishevë.

Por, përgjegjësi i këtij stacioni tregon se asnjëherë nuk e ka parë atë.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka mohuar se gruaja është e kërkuar për ndonjë vepër penale.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Lirie Podrimaj, ka thënë se më 23 maj, Policia e Malishevës e ka identifikuar personin Z.S., grua rome nga Podujeva dhe e ka shoqëruar në Polici, por e ka liruar, sepse ajo nuk dyshohet për asnjë vepër penale.

Podrimaj ka treguar se gjithçka ka nisur si tallje nga nxënës të shkollave të mesme, të cilët e kanë fotografuar këtë person duke e shpërndarë në rrjete sociale, me porosinë që duhet pasur kujdes nga ajo.

“Policia ka verifikuar se e njëjta është riatdhesuar nga Belgjika në Kosovë në vitin 2011, dhe është trajtuar nga punëtorët e mirëqenies sociale në Podujevë, Prizren etj.

E njëjta është pyetur rreth identitetit dhe nuk është përgjigjur në gjuhët zyrtare të shtetit të Kosovës, por ka komunikuar vetëm në gjuhën gjermane.

Gruaja është parë edhe në Lipjan, Suharekë, Prizren dhe vende të ndryshme të Kosovës.