Policia e Kosovës gjatë një kontrolli të tyre në pikëkalimin kufitar në Bërnjak në kabinën e një kamioni me targa vendore, kanë gjetur një qese me 22 mijë e 700 euro, mjete monetare të padeklaruara.

Sipas njoftimit të policisë, mjetet financiare të padeklaruara janë sekuestruat dhe i janë dorëzuar Doganës së Kosovës.

“Policia e Kosovës, respektivisht Policia Kufitare, në vazhdën e kryerjes së detyrave përkatëse sipas autorizimeve policore, me datën 06.12.2024 rreth orës 02:20 në pikëkalimin kufitar në Bërnjak, gjatë një kontrolli të hollësishëm kufitar, në kabinën e një kamioni me targa RKS me vozitës mashkull kosovar, kanë hasur në një qese në 22700 (njëzet e dy mijë e shtatëqind) euro, mjete monetare financiare të padeklaruara (në bankënota prej 100 dhe 200 euro)”, thuhet në njoftim, përcjell GazetaBlic.

Ndryshe thuhet në njoftim se lidhur me rastin mjetet financiare të padeklaruara janë sekuestruar dhe i janë dorëzuar Doganës së Kosovës për procedurë të mëtejme, derisa Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe dukurive të tjera negative dhe vënien para përgjegjësisë së personave, kryes të veprave penale.