Policia konfirmon sulmin fizik të Bulliqit ndaj një qytetari: Vihet në lëvizje Prokuroria

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinë, Florie Ahmeti, ka konfirmuar se tashmë janë vënë në lëvizje bashkë me Prokurorinë e Shtetit për të zbardhur pretendimet e një qytetari të Podujevës se është sulmuar fizikisht nga Shpejtim Bulliqi.

Ahmeti ka konfirmuar se rasti është denoncuar rreth orës 9 e 30 të mëngjesit në stacionin policor në Podujevë.

“Rreth orës 09:30 në stacionin policor në Podujevë është denoncuar një rast i sulmit fizik”, ka thënë Ahmeti.

Ajo ka thënë se aktualisht janë duke u trajtuar pretendimet e denoncuesit dhe se bashkë me Prokurorinë po i koordinojnë veprimet.

“Aktualisht janë duke u trajtuar pretendimet e paraqitura nga denoncuesi, dhe me qëllim të zbardhjes së pzlotë të të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen veprimet policore po ndërmerren në koordinim me prokurorin e shtetit”, ka thënë Ahmeti.

Qytetari i Podujevës i cili është edhe punonjës i Komunës të cilën e drejton Bulliqi e ka denoncuar këtë të fundit në polici duke thënë se gjatë kohës sa ishte në ambulancë me nënën e tij fillimisht ishte sulmuar verbalisht e më pas edhe fizikisht nga Bulliqi.

Qytetari pretendon se është kapur për fyti nga Bulliqi. Pas këtij denoncimi i njëjti është dërguar për kontroll mjekësor dhe pritet të ndërmerren veprime të mëtejshme.

Bulliqi ende nuk është deklaruar për këtë rast.

Lexoni edhe: