Policia e Kosovës është deklaruar në lidhje me mos lejimin e hyrjes në Kosovë për dy autobusë me pelegrinë serbë e alpinistë të cilën kishin tentuar të kalonin sot në territorin e vendit tonë përmes pikës kufitare në Jarinjë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi ka deklaruar se “Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit, vendimeve dhe marrëveshjeve që institucionet e vendit i ndërmarrin (ose i kanë ndërmarr)”.
“Policia, në Pika të Kalimit Kufitar ndërmerr veprime që janë në përputhje me atë që u tha më lartë. Në rastin konkret, institucionet përkatëse të RKS-së nuk kanë pranuar kërkesë për vizita”, deklaroi Krasniqi.
Ndryshe, dy autobusë me pelegrinë dhe alpinistë serbë nuk janë lejuar sot në orët e mëngjesit të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, në kufirin e Jarinjes.
Sipas burimeve të Telegrafit, dy autobusët janë ndaluar në kufirin e Jarinjes dhe se në të dy autobusët kishte më shumë se 80 persona.
Ndryshe, javën që po lëmë pas është mbajtur liturgji në kishën e ashtuquajtur të “Krishtit Shpëtimtar”, e cila ndodhet brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës në kryeqytet, objekt ky i kontestuar tash e sa kohë.
Kisha ortodokse serbe është ndërtuar në hapësirat e Universitetit të Prishtinës në vitin 1992, pas marrjes së dhunshme të pushtetit nga Serbia më 1989.







