Poseduesit e letërnjoftimeve serbe të lëshuara nga departamentet policore për qytetet e Kosovës, siç është i ashtuquajturi “Departamenti i Policisë së Mitrovicës së Kosovës”, së shpejti nuk do të mund të hyjnë apo të dalin nga Kosova me këtë dokument, paralajmërojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës në pikat kufitare.

Kjo u pa sot. Një polic në vendkalimin kufitar ndwrmjet Kosovws dhe Serbisw, në Jarinje, ka njoftuar sot gazetarin e portalit KoSSev se nuk do të mund të hyjë apo të dalë më nga Kosova me këtë lloj letërnjoftimi, transmeton Ballkani.info.

“Para se të kontrollonte letërnjoftimet e pasagjerëve në një autobus sot në vendkalimin e Jarinjës, një polic foli në gjuhën shqipe, duke pyetur paraprakisht nëse dikush fliste anglisht apo shqip, në mënyrë që të përkthente dhe me mirësjellje t’i paralajmëronte pasagjerët. Në një pyetje të mëvonshme të gazetarit tonë, i cili ishte në autobus, ai tha: Sistemi është përditësuar dhe këto karta identiteti së shpejti nuk do të lexohen më. Nuk e di datën e saktë, mund të jetë brenda një jave, një muaji ose më herët. Por po ju njoftoj paraprakisht”, shkruan portali serb nga veriu i Kosovës.

Disa lexues të portalit KoSSev kanë ndarë të njëjtat dëshmi ditëve të fundit.

“E kemi pyetur sot Policinë e Kosovës në Rajonin e Veriut nëse ekziston një vendim i tillë, kush e ka marrë dhe mbi çfarë baze. Ata, megjithatë, na thanë se nuk kishin një informacion të tillë dhe na dërguan në drejtorinë qendrore të Policisë së Kosovës në Prishtinë, e cila është përgjegjëse për policinë kufitare. Së fundmi me të njëjtat pyetje kemi kontaktuar përmes emailit edhe zëdhënësin e Policisë së Kosovës në Prishtinë, Baki Kelanin”, shkruan ky portal.

Marrëveshja

Kujtojmë se më 1 shtator 2022 ka hyrë në fuqi një marrëveshje e konfirmuar nga Kosova dhe Serbia, e cila praktikisht njihte letërnjoftimet e Kosovës në të gjithë territorin e Serbisë. Në anën tjetër, personat me letërnjoftime serbe nga qytetet e Kosovës kanë mundur të hyjnë në tri vendkalime pa asnjë problem.

Ndryshe nga këto vendkalime, me letërnjoftime serbe të lëshuara në qytetet e Kosovës, ishte e pamundur të largohej nga territori i Kosovës për në vende të tjera, si Maqedonia e Veriut.

Kjo marrëveshje është arritur pas një vendimi të mëparshëm të Qeverisë së Kosovës për të filluar lëshimin e fletëve të deklarimit për qytetarët me letërnjoftime serbe që hyjnë në Kosovë, me arsyetimin e vendosjes së reciprocitetit me Serbinë. /Ballkani.info/