Policia çoi në stacion katër persona për muralet feministe në Mitrovicë, inicohet rast ndaj tyre

Të dielën e 25 prillit, qyteti i Mitrovicës u mbush me disa grafite feministe.

Organizata Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist përmes këtyre mbishkrimeve ka kundërshtuar kontrollin e burrave ndaj grave, dhunën sistematike ndaj tyre, ngacmimet seksuale në shkolla e shumë shkelje tjera.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka bërë të ditur për Gazetën Online ‘Reporteri.net’, se lidhur me këtë rast janë shoqëruar katër persona në stacion, pasi ndaj tyre u inicua rast për Prishje të Rendit dhe Qetësisë Publike.

“Me datën 25.04.2021, në Mitrovicë, është iniciuar një rast Prishje  e Rendit dhe Qetësisë Publike “PRQP’, Në cilësi  të të dyshuarave janë intervistuar katër persona, pasi të njëjtit  në orët  e pasdites së datës 25 prill 2021,  në disa lokacione/ objekte në qytet kanë shkruar grafitë.”, ka thënë Zahiti.

Grafitet që u bënë në Mitrovicë sipas organizatës, kishin për qëllim që të denoncojnë dhunën sistematike ndaj grave në këtë qytet dhe përtej.

“Përmes grafiteve që kundërshtojnë kontrollin e burrave mbi trupin e grave, dhunimin e tyre në shtëpi, rrugë e institucione, ngacmimin seksual në shkolla, e robërimi e tyre nga burrat, hapësirat publike u ngjyrosën me revoltë dhe refuzim të çfarëdo shtypje ndaj secilës grua dhe vajzë”, thuhej në postimin e KMVF.

Disa nga thirrjet nëpër grafite ishin “gratë e kanë vendin kudo që dojnë ato”, “dhunuesit e grave n’burg”, “veshja nuk është provokim”.