Policia arreston dy persona për kërcënim ndaj Agim Bahtirit dhe familjes së tij

Policia e Kosovës dje përmes një super-aksioni shumë të organizuar ka arrestuar dy persona të dyshuar për kërcënim ndaj kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri. Aksioni i policisë është kryer në Lipjan ku janë arrestuar B.SH., (viti i lindjes 1997) nga Lipjani, dhe F.S. (viti i lindjes 1996-Mitrovicë) Lipjan.

Veriu.info mëson se arrestimi i tyre ka ndodhur kur njëri prej të dyshuarëve ka tentuar ta marrë pakon me para, e cila ishte e zbrazur sipas instruksioneve të policisë.

Personi i dytë është arrestuar në një kafene, vend ku ishte duke e pritur të dyshuarin kryesor.

Mësohet se të dyshuarit ishin duke e kërcënuar kryetarin Bahtiri dhe familjen e tij prej dy muajsh, me ç’rast policia muajin e kaluar i kishte ofruar mbrotje zyrtare përmes patrullave policore familjes së kryetarit Bahtiri.

Veriu.info mëson se policia ka kapur edhe telefonat nga ku janë bërë kërcënimet, në të cilët janë gjetur edhe mesazhet kërcënuese drejtuar Bahtirit dhe familjes së tij.

“Me datë 15.10.2020, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) e Policisë së Kosovës në Prishtinë ka pranuar një informacion lidhur me persona të dyshuar, të cilët dyshohet se përmes rrjetit social FACEBOOK dhe përmes rrjetit social “Messenger”, janë duke e detyruar viktimën m/k për t’i dhënë një shumë të parave në vlerë prej (25 000 Euro) njëzet e pesëmijë eurove përndryshe do t’ia publikojnë disa fotografi të cilat do të ndikojnë në imazhin e tij dhe të familjes së tij dhe po ashtu e kanë kanosur vazhdimisht viktimën se “nëse nuk i jep paratë do ta dëmtojnë atë dhe familjen e tij”, thuhet ne njoftimin e Policisë.

“Me këtë rast dyshohet se të dyshuarit me qëllim të përfitimit material kanë kryer veprat penale “Shantazhi” sipas nenit 329 i KPK-së dhe Kanosja nga neni 181 i kodit penal të Republikës së Kosovës. Drejtoria për Hetime të Krimeve të Rënda në Prishtinë nën autorizimet e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, ka zhvilluar hetime në këtë rast dhe më datë 24.11.2020 rreth orës 17:25 në qytetin e Lipjanit ka arrestuar personat e dyshuar. Nga të dyshuarit janë sekuestruar tre telefona, dy IPHONE dhe një SAMSUNG dhe një USB në cilësi të provave materiale. Pas kontaktit me prokurorin kujdestar në Mitrovicë, të dyshuarit është vendosur të dërgohen në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme ligjore. ”, pohon Policia.