Polici që u arrestua mbrëmë për korrupsion, dikur bënte heroin – shpëtoi tre jetë, ishte ushtar në UÇK

Inspektorati Policor i Kosovës, mbrëmë ka arrestuar dy hetues të krimeve ekonomike në Policinë e Kosovës, nën dyshimin për korrupsion.

Njëri prej tyre ishte Lutfi Menxhiqi, polic hetues të cilit policia gjatë arrestimit në shtëpi ia gjeti 9 mijë euro para të gatshme dhe dy armë të gjata, kallashnikovë.

Menxhiqi, kampion bote në artet marciale, ish-luftëtar i UÇK-së në luftën e fundit në Kosovë para se të arrestohej ishte një “hero”, pasi para 5 vitesh kishte shpëtuar tre jetë njerëzish.

Por këtë titull sikur e humbi nga mbrëmë, pasi tash në opinion ka marrë epitetin më të ri, pra të një polici që u arrestua nën dyshimet për korrupsion, shkruan Reporteri.net.

‘Herozimi’ i Menxhiqit…

Menxhiqi, njihej si një nga policët më të zot dhe që nuk i dhimbsej as jeta për të kryer misionin e tij ndershëm.

Ai kishte ka shpëtuar tre persona, nga vitet e nëntëdhjeta e deri më 2009, çka ishte shpërblyer me mirënjohje nga policia.

I plagosuri gjatë luftës së fundit në Kosovë, Menxhiqi në vitin 2015-të ndërsa kishte folur për “Kosova Live”, kishte thënë se është i gatshëm të sakrifikoj për vendin dhe popullin e Kosovës, shkruan Reporteri.net.

“E dua vendin dhe popullin e Kosovës. Nuk mund të rri, kur ka ndonjë rast që mund t’i ndihmoj dikujt”, kishte deklaruar Menxhiqi.

Ai kishte treguar një rast si një qytetar nga Komuna e Dragashit që dëshironte t’i jepte fund vetës në Prishtinë e kishte shpëtuar nga vetëvrasja.

“Kam qenë në ndërrimin e punës në Stacionin Qendër të Policisë në Prishtinë, kur kemi marrë një thirrje, që një person po tenton ta mbys veten, duke kërcyer nga kulmi i një ndërtese shtatë katëshe. Si ka qenë ulur në qosh të kulmit është drejtuar nga ne, sikur të na jepte lamtumirën e fundit dhe është bërë gati për të kërcyer, por unë kam reaguar shumë shpejt dhe e kam kapur. Kolegët më tërhiqnin me litar që mos të bie edhe unë pas tij. Litari më shtrëngojke shumë në bark dhe gjatë karrierës time në sportet marciale i kam thyer tri herë brinjët dhe në ato momente mi ka thyer sërish litari. Por, pavarësisht dhimbjes që kisha atë nuk e lëshoja nga dora”, kishte rrëfyer rastin rrëqethës Menxhiqi.

Pasi e kishte shpëtuar herën parë, tentimi i tij i dytë vetëvrasës ishte në katin e gjashtë, duke u orvatur të kërcejë përmes një dritareje në korridor të ndërtesës.

Në ato momente Menxhiqi kishte deklaruar se i ka përdorur teknikat e arteve marciale, duke e goditur N.N. në nofull për t’ia humbur vetëdijen.

“E kam futur brenda në dhomë dhe pasi që i ka ardhur vetëdija, për të treten herë ka tentuar të mbytet përmes rrymës elektrike, por nuk e kam lënë ta bëjë një gjë të tillë. Mjekët e kanë kapur, i dhanë një qetësues dhe e dërguan në spital”, thotë Menxhiqi, duke shtuar se në ato momente ishte i lodhur, i dërrmuar, gjatë tentimeve për ta shpëtuar N.N.

Ai nuk mund t’i harrojë dhimbjet e mëdha si shkas i thyerjes së brinjëve nga litari që ishte i lidhur.

“Mu paralizua trupi nga dhimbjet e papërshkruara që më kapluan, pasi që m’u thyen brinjët”, thotë ai.

Por Menxhiqi, kishte shpëtuar edhe jetë jashtë Kosove.

Në vitin 1993 në Maqedoni në kufirin Kosovë-Maqedoni, së bashku me Lulzim Jasharin, kampion në bodibuillding, kishin hasur në një aksident trafiku.

Ai i kishte shpëtuar jetën shoferit, pasi vetura po digjej.

“Kam dalë të shikoj se çka ka ndodhur, një veturë kishte filluar ta kaploj zjarri, ndërsa shoferi ishte brenda saj dhe ishte pa vetëdije. Askush nuk i ofronte ndihmë, e kam hap derën e veturës dhe kam filluar ta tërheq, por nuk mundesha, sepse ishte vështirë. Ka ardhur edhe Lulzimi dhe e kemi nxjerrë jashtë, ndërsa këmba i ishte thyer, vetëm lëkura ja mbante”, kishte pohuar ai.

Një rast tjetër Menxhiqit i kishte ndodhur në Belgjikë në vitin 1992, kur ka shpëtuar një fëmijë nga goditja e një veture, e cila ecte me shpejtësi të madhe.

“Kur e kam pa që po e godet vetura, kam kërcyer në rrugë dhe e kam kapur fëmijën, ndërsa vetura më goditi në këmbë, kam rënë mbi veturë dhe jam përplasur në tokë, por jam munduar që fëmijën mos ta lëshoj nga gjiri”, kishte rrëfyer Menxhiqi.

Për rastin në Kosovë, Menxhiqi ishte shpërblyer me një mirënjohje në kuadër të Stacionit të Policisë – Qendër. Ndërsa pas një viti, është shpërblyer me medalje për shpëtim jete.

Lutfi Menxhiqi ka qenë kampion bote i arteve marciale në vitin 1995 në Gjermai, ka kontribuar si ushtar i UÇK-së dhe tashmë është pjesëtar i Policisë së Kosovë.

Për shtatë vite ka punuar në Shkollën e Policisë në Vushtrri, si instruktor i arteve marciale, ndërsa deri në momentin e arrestimit ka punuar në Drejtorinë e krimeve ekonomike në Stacionin e Policisë – Qendër në Prishtinë.