Polici Dejan Pantiq, i dyshuari për sulm ndaj KQZ-së, futet në grevë urie

Ish-pjesëtari i Policisë Kosovës, Dejan Pantiq, i arrestuar një javë më parë nën dyshimet për organizimin e sulmit ndaj pjesëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor, ka hyrë në grevë.

Demokracia.com ka mësuar se Pantiq ka hyrë në grevë urie, duke e përdorur këtë si mjet proteste.

Për arrestimin e Pantiqit kishte reaguar edhe Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, duke kërkuar lirimin e tij dhe akuzuar Republikën e Kosovës se “po e trajtonte keq”.

Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj Pantiqit kishte caktuar masën e paraburgimit për një muaj.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.P për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Kryerja e veprës terroriste nga neni 129 paragrafi 1 lidhur me nenin 128 paragrafi 1 nën paragrafi 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftimin e Gjykatës.

Pas arrestimit të Dejan Pantiq, serbët në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada në Rudarë, Srbovc, Sllatinë dhe Leshko, në rrugën kryesore Prishtinë – Rashkë. Në Varagë është vendosur një barrikadë nga drejtimi që të çon nga Mitrovica Jugore në Ribariq.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar se ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, ka qenë i punësuar edhe si ish-pjesëtari i MUP-it.

“Policia e Kosovës sot ka ndaluar në Pikën Kufitare në Jarinje ish zyrtarin policor, ish pjesëtarin e MUP-it i cili ishte integruar më parë në Policinë e Kosovës, Dejan Pantiq. I ndaluari sipas dëshmive të Policisë së Kosovës ka organizuar sulmin terrorist në zyret e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policor. Pantiç akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues”, kishte shkruar Sveçla në rrjetin social Facebook.