Derisa lidhet vazhdimisht me një largim nga Manchester United, Paul Pogba ka treguar se sa shumë e ka dëshiruar rikthimin te “Djajtë e Kuq”.
Ylli francez u rikthye në “Old Trafford” gjatë verës së vitit 2016 me transferimin që kapi shifrën e 100 milionë eurove, shumë rekord kjo për atë kohë, ndërsa Pogba e ka cilësuar si ndjenjën më të mirë për të.
Mosmarrëveshjet me trajnerin Jose Mourinho i kanë shtuar spekulimet për largimin e Pogbas nga Manchester United me destiancione të mundshme Barcelonën dhe Juventusin, ndërsa 25 vjeçari e ka shprehur lumturinë e ribashkimit me 20 herë kampionët e Anglisë.
“Kur u riktheva te United ishte ndjenja më e mirë për mua. U riktheva në shtëpi ndërsa gjithmonë kam ëndërruar të luajë për Manchester United dhe të shënoja shumë gola këtu. Asgjë nuk ka ndryshuar përveç lojtarëve dhe trajnerit, por pjesa tjetër e klubit ishte e njejtë. Dukej sikur kisha shkuar në pushim për një kohë të shkurtër, të ndjeja ajrin e Manchesterit ishte fantastike”, u shpreh Pogba.
Paul Pogba mungoi në humbjen 3-1 të Manchester Unitedit në derbin ndaj Cityt të dielën e kaluar për shkak të lëndimit në kofshë.







