Përzgjedhësi i Francës, Didier Deschamps i ka zëvendësuar Paul Pogban dhe Anthony Martialin me Moussa Sissokon dhe Alexandre Lacazeten.
Dyshja e Manchester Unitedit janë nxjerrur nga lista e Deschamps për ndeshjen me Holandën në Nations League dhe atë miqësore me Uruguain, ndërsa arsyet për këtë vendim janë lëndimet që dy futbollistët kanë pësuar.
Pogba mungoi në derbin e Manchesterit që u zhvillua dje për arsye të lëndimit në kofshë gjersa Martial ndjeu një dhimbje në ije në përballjen me Cityn ku e shënoi edhe golin e vetëm të “Djajve të Kuq” në disfatën 3-1.
Martial së fundmi ka qenë në formë të jashtëzakonshme duke shënuar 6 gola në 7 ndeshjet e fundit në Premier League, ndërsa së bashku me Pogban sot u paraqitën në kampin stërvitor të kombëtares franceze por pas konsultimeve me stafin mjekësor u vendos që të riktheheshin në Manchester.
Mesfushori i Tottenhamit, Moussa Sissoko dhe sulmuesi i Arsenalit, Alexandre Lacazete u ftuan në vend të tyre, me të dy futbollistët që rikthehen te kombëtarja pas një kohe të gjatë.
Franca mund të sigurojë vendin e parë në grupin 1 të Ligës A me një barazim ndaj Holandës të premtën në Amsterdam.







