Trajneri argjentinas

Pochettino thotë se Tottenhami e arriti misionin e pamundur duke e kaluar grupin në Champions

Trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino i ka lavdëruar lojtarët e tij pas barazimit 1-1 ndaj Barcelonës në “Camp Nou”, pikë që i solli kualifikimin për në fazën me eliminim direkt të Champions Leagues.

Një gol i vonshëm i sulmuesit brazilain, Lucas Moura baraspeshoi sfidën gjersa ky rezultat ishte i mjaftueshëm për londinezët, pasi që në përballjen tjetër të grupit Interi zhgënjeu duke mos shkuar më shumë se barazimi 1-1 ndaj PSV Eindhoven në “San Siro”.

Tottenhami e nisi shumë keq kampanjën në Champions duke i humbur dy ndeshjet e para me Interin dhe Barcelonën, derisa barazoi në udhëtim te PSV-ja, megjithatë dy fitoret rresht në “Wembley” ndaj holandezëve e “Nerazzurrëve” dhe barazimi në ndeshjen e fundit i dha kualifikimin “Spursave”, sukses ky që e ka lumturuar Pochettinon.

“Jam shumë i lumtur dhe krenar. E mbaj mend se pas ndeshjes me PSV-në në Holandë askush nuk besonte te ne. Të gjithë thanë se është mision i pamundur, por ne jemi këtu. Jemi në fazën tjetër dhe ky është një sukses i madh për klubin. Jemi shumë të lumtur për tifozët tanë që ishin në stadium, në Londër dhe gjithandej botës. Është një shtysë e madhe për klubin, do të jetë motivim shtesë të luajmë ndeshje të Championsit në stadiumin tonë të ri vitin e ardhshëm”, tha Pochettino.

Tottenhami e përfundoi grupin B me 8 pikë të grumbulluara, aq sa ka koleksionuar edhe Interi, por ndeshjet direkte e kanë bërë dallimin mes dy skuadrave.