Mauricio Pochettino është në mesin e kandidatëve për të pasuar Jose Mourinhon në stolin e Manchester Unitedit, por trajneri i Tottenhamit ka insistuar se është i përkushtuar te “Spurs”.

Mourinho u shkarkua nga detyra e trajnerit te United sot në mesditë pas startit zhgënjyes të sezonit në Premier League, me 20 herë kampionët e Anglisë që ndodhen në vendin e 6-të me 19 pikë më pak se lideri, Liverpooli, teksa ky është starti më negativ në histori të klubit.

Manchester United ka konfirmuar se një trajner i përkohëshëm do të emërohet deri në fund të sezonit, gjersa “Goal” raporton se trajneri nuk do të jetë nga stafi aktual i skuadrës.

Zinedine Zidane dhe Mauricio Pochettino janë në listën e ngushtë të emrave që qarkullojnë për të qenë trajner të Unitedit që nga sezoni i ardhshëm, por ky i fundit ka thënë se është i fokusuar vetëm te Tottenhami.

“Dua t’i uroj më të mirën Mourinhos. Ndihem keq sepse e njoh mirë atë dhe ky është një lajm i trishtueshëm. Nuk më intereson çfarë ndodhë në skuadrat tjera. Në 5 vitet e mija këtu kanë qarkulluar shumë spekulime, e respektoj mendimin e secilit. Dua të ofroj më të mirën time për Tottenhamin”, tha Pochettino.

Ndeshja që i solli shkarkimin Jose Mourinhos ishte ajo e fundjavës së kaluar ndaj Liverpoolit, në një takim ku shkëlqeu Xherdan Shaqiri me dy gola, ndërsa ballafaqimi i rradhës për “Djajtë e Kuq” do të jetë të shtunën në shtëpi përballë Cardiff Cityt.