Trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino beson se Barcelona do të jetë në fushë me skuadrën më të mirë të mundshme në përballjen e muajit të ardhshëm në “Camp Nou”, që do të vendos fatin e londinezëve në grupin B të Champions Leauges.
Tottenhami dhe Interi kanë nga 7 pikë secila pas 5 xhirove të zhvilluara, por “Spurs” ndodhen për momentin në pozitën e dytë për shkak të rezultatit më të mirë në ndeshjet direkte.
Skuadra e Pochettinos nuk ka zgjidhje tjetër përveç të mposht Barcelonën në udhëtim në mënyrë që të sigurojë kalimin në fazën me eliminim direkt.
Goli i Eriksen i dhuroi 3 pikët Tottenhamit përballë Interit, ndërsa vlen të përmendet se Barcelona e ka siguruar vendin e parë.
“Unë pres që ata të luajnë me skuadrën më të mirë por nuk e di se si do ta përgatisin ndeshjen. Duhet të mendojmë vetëm për veten, ta përgatisim ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të besojmë se mund të fitojmë. Çfarë bën Barcelona nuk është në dorën tonë. Por, sigurisht se në Champions League askush nuk bën dhurata, do të jetë ndeshje shumë e vështirë por në futboll gjithçka është e mundur. Tani duhet të fokusohemi te ndeshja me Arsenalin të dielën”, tha Pochettino.
Tottenhami është në formë të mrekullueshme teksa i ka fituar 6 ndeshjet e fundit mes Premier Leagues dhe Championsit.







