Trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino mendon se Harry Kane do të vlerësohej më shumë nga mediat në Angli nëse do të ishte nga një vend i huaj.
Kane me dy golat e shënuar ndaj PSV-së në Champions League mbajti gjallë shpresat e londinezëve për të kaluar grupin, teksa në nivel personal arriti kuotën e 10 golave nga 15 paraqitje në të gjitha kompeticionet.
Sidoqoftë kapiteni i kombëtares së Anglisë është përballur me shumë kritika duke e vënë në dyshim Pochettinon nëse realisht mediat angleze e vlerësojnë sulmuesin 25 vjeçar.
“Në Angli mediat kanë shumë gjëra pozitive por duhet të përmirësohen në vlerësimin e futbollistëve vendas. Kane është anglez dhe ndonjëherë ju e vendosni në qiell dhe pastaj e futni në dhe. Nëse Harry Kane do të ishte italian dhe do të luante për një skuadër italiane, mediat atje do të mbështesnin sepse ata i mbrojnë lojtarët e tyre, e njejta gjë vlen edhe në Spanjë”, tha Pochettino.
Tutje trajneri argentinas e cilësoi Kanen si një ‘vrasës’ para golit, ndërsa e krahasoi atë me legjendën argjentinase Gabriele Batistutan.







