Pochettino komenton humbjen turpëruese ndaj Bayernit

Trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino, ka thënë se lojtarët e tij u dorëzuan paksa kah fundi i ndeshjen, të cilën e humben në mënyrë të turpshme, 2-7, kundër Bayernit të martën.

Tottenhami kaloi në epërsi pas vetëm 12 minutave lojë përmes Heung-min Son, dhe Pochettino e pranoi pas ndeshjes se gjysmë ora e parë e takimit ia kishte krijuar ndjesinë më të mirë si trajner i ekipit këtë sezon.

Por, gjërat filluan të përkeqësohen dukshëm për finalistin e vitit të kaluar në Ligën e Kampionëve, kur Joshua Kimmich dhe Robert Lewandowski shënuan para përfundimit të pjesës së parë.

Ish anësori i Arsenalit Serge Gnabry i shënoi katër gola në vazhdim duke e bërë skuadrën nikoqire të mbulohet nga turpi, pasi i pranoi plot shtatë gola në shtëpi për herë të parë në një garë të madhe.

Megjithatë, Pochettino beson se nuk është koha se për vlerësim të nxituar në një natë ndëshkuese për klubin nga Londra veriore.

“Tani është momenti për t’u qetësuar dhe jo për të bërë ndonjë gabim. Pas një rezultati si ky sot, duhet të jemi të qetë. Të gjithë e dimë se si ndihemi ne, shumë të zhgënjyer”, tha Pochettino pas ndeshjes.

“Nuk rregullojmë asgjë duke bërtitur apo duke folur nën ndikimin e emocioneve. Në 10 minutat e fundit të ndeshjes, ne i pranuam tri gola, ndiej sikur ekipi ishte i lodhur dhe hoqi dorë”, shtoi ai.

loading…