Po drejtonte veturën në ndikim të alkoolit, dënohet me 200 euro gjobë dhe ndalim vozitje për gjashtë muaj

Policia e Kosovës ka njoftuar se në Mitrovicë, sot në orët e hershme të mëngjesit gjatë kontrollit të trafikut rrugor në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë përkatësisht në segmentin rrugor Vushtrri-Mitrovicë, ka ndaluar një automjet dhe gjatë verifikimit të dokumentacionit është dyshuar se ngasësi drejtonte automjetin nën ndikim të alkoolit.

Pas matjes me alkool-test ka rezultuar se drejtuesi kishte në organizëm alkool mbi masën e lejuar me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor.

“Ndaj kundërvajtësit është shqiptuar gjoba prej 200 euro, dy (2) pikë negative si dhe masa mbrojtëse-ndalim i drejtimit të mjetit me veprim motorik për gjashtë (6) muaj. Gjithashtu ngasësit nuk i është lejuar drejtimi i mëtutjeshëm i automjetit në gjendje të tillë”, thuhet në njoftim.

Masat ndëshkimore të parapara me ligj, do të vazhdojnë të merren ndaj te gjithë kundërvajtësve të cilët nuk respektojnë rregullat në trafik dhe rrezikojnë sigurinë e pjesëmarrësve në trafikun rrugor.