Një fëmijë 5-vjeçar zviceran rezulton i zhdukur që nga pasditja e së shtunës, pasi një gomone me një familje prej katër anëtarësh në lumin Reuss pranë Mühlaut në kantonin Aargau u përmbys pas përplasjes me një pemë të rrëzuar në ujë.
Sipas Policisë Kantonale të Aargaut, ngjarja ndodhi të shtunën pak para orës 14:00. Ndërsa dy të rriturit dhe vajza 7-vjeçare arritën të shpëtojnë vetë dhe të dalin në breg, djali 5-vjeçar u zhduk në ujërat e lumit.
Autoritetet nisën menjëherë një operacion të gjerë kërkim-shpëtimi, ku u angazhuan mbi dhjetë ekipe shpëtimi, dronë policorë, zhytës të policisë nga Cyrihu dhe një helikopter shpëtimi i Rega-s. Kërkimet në ujë, nga ajri dhe përgjatë brigjeve vazhduan pa ndërprerje deri në mbrëmje, por pa rezultat.
Të dielën në mëngjes operacioni i shpëtimit vazhdoi, ndërsa prindërit po marrin mbështetje psikologjike nga ekipi i kujdesit (Careteam) i kantonit të Aargaut.
“Fatkeqësisht ai ende nuk është gjetur”, njoftoi Policia Kantonale e Aargaut të dielën në mëngjes.
Shefi i operacionit theksoi se janë duke u përdorur të gjitha mjetet në dispozicion për të kontrolluar sërish në mënyrë intensive zonën e lumit.
“Deri tani nuk kemi arritur ta gjejmë djalin, por kërkimet vazhdojnë edhe sot”, tha Dominic Zimmerli, zëdhënës i Policisë Kantonale të Aargaut për gazetën Blick.
Policia bëri të ditur se djali dyshohet se kishte veshur jelek shpëtimi në momentin e aksidentit, por ai mund të jetë humbur për shkak të rrymës së fortë. Hetimet për rrethanat e sakta të aksidentit janë duke vazhduar.
“Po bëjmë gjithçka për ta gjetur djalin”, theksoi Zimmerli, duke shtuar se edhe pse ekzistojnë rreziqe nga rrymat dhe drunjtë në ujë, në lumë po shiheshin sërish persona me gomone gjatë së dielës në mëngjes.
Në operacion janë të angazhuara edhe policitë rajonale të Wohlenit, Murit, Bremgartenit dhe Bruggut, policia ujore si dhe një varkë e hidrocentralit të Bremgarten-it.







