“Plisat” dalin kundër vendimit që derbi Drita – Gjilani të zhvillohet në Prishtinë

“Plisat” nuk e duan derbin e madh gjilanas në stadiumin e Prishtinës.

E kanë edhe një kërkesë për kryetarin e komunës, Shpend Ahmeti

Tifozët prishtinas, “Plisat”, kanë reaguar ashpër ndaj vendimit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), e cila ka lejuar që derbi më i madh kosovar ndërmjet dy rivalëve gjilanas, Gjilani – Drita, të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Ky derbi do të zhvillohet të dielën prej orës 20:00 nën ndriçimin e reflektorëve, gjë që nuk e mirëpresin tifozët rivalë të atyre gjilanas, “Plisat”.

Në reagimin e tyre thuhet:

Kryetari Agim Ademi paska marre vendim qe ndeshja Drita – Gjilani te luhet ne stadiumin e Prishtinës!

Stadiumi i Prishtinës, sipas Agim Ademit, mund te shndërrohet ne prone e cila lëshohet për këdo që dëshiron te luaje ne fushe te mire!

Nuk është faji i Prishtinës qe qytetet tjera i kane stadiumet sikur ara patatesh.

Stadiumi i Prishtinës është vetem për ndeshjet e Prishtinës dhe Kosovës dhe asnjë ekip tjetër nuk duhet te lejohet qe te vije këtu sepse pasojat po i bartim gjithmonë vetëm ne.

Po ashtu, i bëjmë apel kryetarit te Komunës se Prishtinës, Shpend Ahmeti, qe komuna se bashku me klubin e futbollit Prishtina, ta marrin ne menaxhim stadiumin e Prishtinës e te mos mbetet ne mëshire te dallavereve e manipulimeve te FFK-së!