Plenkoviq të premten fillon për herë të parë vizitën në Serbi, do të takohet me Bërnabiqin

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, në vizitën e parë të tij në Serbi, do të takohet me kryeministren serbe, Ana Brnabiq.

Bërnabiq do ta presë në takim Plenkoviqin në Bashkinë e Suboticës.

Takimi do të fillojë në ora 15:00, ndërsa më pas takimi i delegacioneve të dy qeverive është planifikuar në orën 15:15, njoftojnë mediat serbe.

Ndryshe, më 23 qershor, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, do të fillojë vizitën në Serbi, i vetmi vend fqinj që nuk e ka vizituar prej se është zgjedhur në krye të qeverisë kroate.

Ai do jetë pjesëmarrës në ditën e komunitetit kroat në Serbi që do mbahet në Suboticë ku do hapet “Shtëpia Kroate”, ndërtimi i së cilës është financuar nga Qeveria e Kroacisë.

Plenkoviq dhe Brnabiq do të diskutojnë për çështjen e forcimit të pozitës së pakicave në të dyja vendet, bashkëpunimin ekonomik dhe transportues ndërmjet dy vendeve dhe një nga temat e diskutimit do jetë rruga evropiane e Serbisë, njoftojnë mediat kroate,shkruan AP.

Ky është sinjali i parë se më në fund në mes të dy vendeve mund të ketë një “ngrohje të marrëdhënieve” të cilat janë shumë të zbehta prej vitesh.

Por, eurodeputeti Tonino Picula e sheh me shumë pak optimizëm mundësinë e një ndryshimi të madh në marrëdhëniet midis Zagrebit dhe Beogradit.

“Për vlerësimin e vizitës së Plenkoviqit në Serbi është shumë e rëndësishme nëse ai do të ketë një takim me Vuçiç-in, sepse është ai që merr të gjitha vendimet e rëndësishme në Serbi. Është gjithashtu e mundur që kjo të jetë iniciativë personale e Plenkoviç-it për t’i dëshmuar Brukselit se ai është i aftë të zhvillojë dialog me fqinjin më problematik të BE-së në rajon”, thotë Picula.